Aktualitet

Kokainë në lëngje frutash, nis megaprocesi në Bruksel/Trafikantë shqiptarë në gjyq!

Në gjykatën Penale të Brukselit sot nisi gjyqi për 40 persona, mbi një çështje të trafikut ndërkombëtar të drogës me përfshirje të shqiptarëve. Hetimi filloi në muajin shtator të vitit 2020, pas zbulimit të disa kilogramëve kanabis e po ashtu, një sasie të madhe açetoni, në një garazh në kryeqytetin belg. Hetimet mbi çështjen morën një tjetër rrjedhë pasi dolën të dhëna të reja nga infiltrimi dhe deshifrimi i mesazheve të koduara në aplikacionin “SKY ECC”.

Aplikacioni i mesazheve përdorej nga trafikantët për të komunikuar në mënyrë sekrete. Falë deshifrimit të komunikimeve, policia mundi të identifikonte kontaktet në disa vende të Amerikës së Jugut, të specifikonte modus operandi të personave të përfshirë, si dhe të detajonte strukturën e organizatës.

Rrjeti kriminal, me drejtues të pandehurit e kombësisë shqiptare A.H, I.K e A.I, dyshohet se ka importuar disa tonelata kokainë, veçanërisht nëpërmjet portit të Antwerpen-it. Mediat belge shkruajnë se “droga ishte e fshehur mes produkteve të lejuara, si lëngjet e frutave”. Hetimet çuan në sekuestrimin e një fuçie me lëngje frutash e ku ishte holluar ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë.

Kokaina e holluar në kuti me lëng frutash

Trafikantët përdorën teknikën e hollimit ose “ngopjes” së drogës në produkte, në dukje të padëmshme. Kjo për të anashkaluar më lehtë kontrollet policore e doganore. Anëtarë të organizatës, të etiketuar si “kuzhinierë” ose “kimistë”, ishin përgjegjës për nxjerrjen e kokainës nga lëngjet e frutave, në laboratorë klandestinë. Për t’i dhënë lëndës narkotike formën përfundimtare të shitjes në tregun ilegal, ata përdorën kimikate, si açeton. Hetimet bënë të mundur identifikimin e të dyshuarve kolumbianë, të sjellë në Belgjikë për të kryer punën e nxjerrjes. Këto hetime u shtrinë në disa vende europiane.

Më 15 shkurt 2022, në Belgjikë u kryen afro 50 kontrolle. 60 të tjera u zhvilluan në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci e Holandë. Të dyshuarit, disa prej të cilëve ende në kërkim gjykohen në Bruksel për trafik droge, zhvatje, vjedhje, falsifikim, pastrim parash e armëmbajtje pa leje.

Një rrjet kriminal shqiptar dhe “kimistë” kolumbianë

Disa persona të proceduar, janë dënuar në të kaluarën për trafik droge. Nga ana tjetër, një kolumbian po gjykohet edhe për çështjen “Encro”, më e madhja e trafikut të narkotikëve e trajtuar ndonjëherë në Belgjikë. Një avokate paralajmëroi:

Do të ketë një tjetër organizatë kriminale shqiptare, e cila ka disa mbivendosje me Encro-n pasi në mënyrë të veçantë njëri apo tjetri është i akuzuar në të dy proceset.

Nathalie Gallant shtoi:

Duket se ende kemi lidhje në nivele shumë më të larta sa i përket kontakteve politike në Shqipëri dhe riinvestimit të përfitimeve të mundshme pasurore që vijnë nga aktivitete të paligjshme.

Skedari u kodua me emrin “BlackEagle”. Gjyqi pritet të zgjasë disa javë.