Aktualitet Rajoni

Kosovë, Myftiu Tërnava uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit!

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët myslimanë në prag të festës së Fitër Bajramit, një nga festat kryesore të besimtarëve myslimanë dhe që festohet nesër, më 21 prill. Në urimin e tij, kleriku i lartë tha se “Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë e që shënon përfundimin e Muajit të Ramazanit”.

Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës. Pas muajit të faljeve dhe begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani. Çdo qytetar duhet të punojë në ruajtjen e familjes, si dhe të vendlindjes. Eshtë obligim i yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë vend me perspektivë. Një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë rritën të sigurt e marrin edukim cilësor.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Festa shënohet nesër edhe në vendin tonë e për të gjithë besimtarët myslimanë, Bashkia e Tiranës vendos në dispozicion tre parkingje falas për ritualin e faljes. Parkimet te “7 Xhuxhat”, Sheshi “Skënderbej” dhe Bulevardi i Ri do të jenë pa pagesë nga ora 05:00-09:00 të mëngjesit. Prilli është cilësuar muaj solidariteti në Tiranë, i shënuar nga aktivitete sociale.

Mbrëmë, në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda Rama shtruan një darkë iftari në Muajin e Shenjtë të Ramazanit e në respekt të traditës shumëvjeçare.

Ju uroj një ditë të mbarë me agjërim të pranuar të gjithë besimtarëve sot në ditën e fundit të muajit të bekuar!

Në fjalën përshëndetëse, Linda Rama, tha:

Vizioni i paqes dhe progresi i natyrshëm, përqafuar natyrshëm nga krejt komunitetet fetare është mishëruar në shëmbëlltyrën rrezatuese të harmonisë fetare, pasuri e çmuar e shqiptarëve, dhuratë e vyer për familjen e kombeve europiane dhe shembull për çdo vend ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë.

Besimtarët myslimanë nisën më 23 mars Muajin e Madhërishëm të Ramazanit, gjatë të cilit agjërojnë duke plotësuar një nga pesë kushtet e Islamit. Muaji i Ramazanit përfundon sot më 20 prill.