Aktualitet

Mashtronin europianë me dëm mbi 6 milion euro, SPAK-u çon për gjykim 5 persona!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar kërkesën për gjykim për procedimin penal nr.301, të vitit 2021, me të pandehur shtetasit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Cekaj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në formën e veçantë të bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1, dhe 334/1, të Kodit Penal.

Njoftimi i SPAK-ut:

Ky procedim ka filluar mbi bazën e kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve spanjolle të drejtësisë, përkatësisht Gjykatës së Shkallës së Parë Nr. 2, La Seu d’Urgell (UPSD 2), në kuadër të çështjes penale Nr. 19/2018, për veprat penale “Mashtrimi”, dhe “Organizatë Kriminale”, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Spanjës. Mbi bazën e kësaj kërkese për ndihmë juridike, Prokuroria e Posaçme, regjistroi procedimin penal nr.301/2021. Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, në koordinim me Eurojust, Shqipëria është bërë pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore, të krijuar në datë 27 Prill 2021, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedoni e Veriut, etj.

Objekt i hetimit të përbashkët janë bërë një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë. Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”. Në kuadër të grupit të përbashkët hetimor, me vendet pjesëmarrëse, në zbatim të një plani hetimor të mirëorganizuar, është përcaktuar ndarja e juridiksionit të ndjekjes penale për personat e përfshirë, si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal, me qëllim optimizimin dhe efektivitetin e realizimit të ndjekjes penale.

Konkretisht nga autoritetet gjyqësore Spanjolle, në kushtet e ekzistencës së marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë, rezultonte më me efektivitet ushtrimi i ndjekjes penale në Spanjë, për shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasojat e të cilit kishin ardhur në Spanjë. Nga autoritetet gjyqësore Gjermane, në kushtet e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë, është vlerësuar më efektive ushtrimi i ndjekjes penale në Shqipëri, nga Prokuroria e Posaçme, për shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë akivitet kriminal, pasojat e të cilit kishin ardhur në Gjermani. Në të njëjtën mënyrë është bërë ndarja për shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë Skuadër të Përbashkët Hetimore.

Në këtë kontekst, nga të dhënat hetimore të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Gjermane, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, administruar në fashikullin e procedimit penal, kanë rezultuar lidhje të shtetasve shqiptarë me Milton Group. Milton Group ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore, duke përfshirë shtetet të cilët janë pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore. Nga autoritetet gjermane është urdhëruar kontrolli i platformave mashtruese tregëtare “Absolut Global Markets”, “AurumPro” dhe “Finaxis”. Megjithatë, sipas këtyre autoriteteve konsiderohet e sigurt se i njëjti grup kriminal është gjithashtu përgjegjës për shumë platforma të tjera tregëtare, kryesisht identike, duke përfshirë platformat “SNP Broker”, “CapitalMarketsBanc”, “FXNobel”, “Cryptokartal”, “Centrobanc”, “GoldmanBank” dhe “TopTradePro”.

Kjo duket qartë nga hetimet financiare të kryera ndaj kompanive, si dhe nga vlerësimet e gjurmëve të ndryshme teknike, përfshirë IP me adresa identike.

Bazuar në provat teknike, ka rezultuar se grupi kriminal ka operuar me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit. Dëmet e shkaktuara në platformat “AurumPro”, “Fianxis” dhe “AGMarkets”, (me 67 kallzime penale në zyrën qëndrore kibernetike në Bavari), llogariten me një dëm të përgjithshëm prej 1.8 milionë Euro. Në platformën CentroBanc, ka 35 kallzime penale, me një dëm total prej 1.7 milionë Euro. Për platformën CapitalMarketsBanc, ka 40 ankesa, me një dëm të konstatuar prej 1.6 milionë Euro. Për platformën Cryptokartal ka 31 kallzime penale, me një dëm të përgjithshëm, prej 1 milionë Euro. Përveç Rajonit të Bavarisë ku janë këta të dëmtuar, edhe shumë prokurori të tjera publike në Gjermani kanë ankesa për të dëmtuar të tjerë në këto platforma, të cilat janë në pritje, kështu që dëmi i përgjithshëm supozohet të jetë shumë më i lartë. Disa nga të dëmtuarit nga Rajonet e tjera federale tashmë janë regjistruar në platformat e tjera “Centrobanc”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal”.

Në datat 08-09.11.2022, është finalizuar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, me të gjitha vendet pjesëmarrëse, të koordinuar nga “EUROJUST” me seli në Hagë, Hollandë. Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambjente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendodhjesh, emërtimesh, por dhe bashkime me njëra tjetrën, për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.