Aktualitet

Ndarja nga jeta e ish-presidentit Nishani, nesër ditë zie!

Në nderim të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ka qenë edhe ministër e deputet, qeveria vendosi që nesër të jetë ditë zie. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë. Ceremonia zyrtare e homazheve, organizohet nesër në mjediset e institucionit të Presidencës, aty ku homazhet nisën që sot.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit, z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ish-deputet.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ish-kreu i shtetit, Bujar Nishani ndërroi jetë më 28 maj në një spital në Gjermani, i shtruar nga komplikacionet për shkak të COVID-it. Atyre u janë bashkuar politikanë, miq, të afërm e qytetarë. Kryetari demokrat, Berisha vuri në dukje se “Shteti humbi një nga shtetarët më dinjitoz në tërë historinë e tij”.

Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani mbërriti sot në atdhe. Makina me arkëmortin kaloi në pikën kufitare të Morinës, mes Kosovës e Shqipërisë. Në një ceremoni të improvizuar, forcat policore kosovare të kufirit në Morinë nderuan ish-kreun e shtetit.