Aktualitet

Plagosje me thikë në Tiranë!

Plagosje me thikë në kryeqytet, i lënduar mbeti një 40-vjeçar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në zonën e Komunës së Parisit. Mësohet se i plagosuri u godit në kurriz pas një konflikti me një person tjetër, për të cilin ende nuk ka informacione.

Ai u dërgua në Spitalin e Traumës në kryeqytet e siç raportohet, fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri tani nuk ka shumë të dhëna mbi motivet e rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga policia e Tiranës që nisi hetimet për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ndodhi. Kjo ishte e dyta ngjarje kriminale në pak orë në kryeqytet, pas vrasjes së një të riu pas një konflikti për motive të dobëta.

Ende nuk ka informacione për autorët e vrasjes së 18-vjeçarit, që mbrëmë u qëllua për vdekje me thikë, në zonën e Shkozës në Tiranë. Viktimë mbeti Aurelio Dervishi, i cili udhëtonte si pasagjer në një makinë ndërsa agresorët gjendeshin në një mjet tjetër. Paraprakisht, mësohet se sherri nisi pas pretendimeve të këtyre të fundit se viktima po i shihte. Dyshohet për 5 persona të përfshirë.

Po nga të dhënat paraprake, mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku gjendej Dervishi, por fillimisht shoferi nuk është bindur. Më tej ndaloi dhe pati një konflikt fizik që i kushtoi jetën 18-vjeçarit. Nga dëshmitë u bë e ditur se të dyshuarit u larguan në drejtim të Unazës Lindore me një mjet tip Tiguan.