Aktualitet

Opozita sërish kundër Veliajt pas arrestimit të ish-drejtorëve/Hidhen molotov!

Përfundoi pas dy orësh protesta e 4-rt e opozitës te Bashkia Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të disa ish-drejtorëve të institucionit që drejton. Protestuesit sërish hodhënn molotov, tymuese e shashka, ndërsa këshilltarët opozitarë nuk u lejuan të hynin brenda godinës së bashkisë.

 

Protesta që u mbyll rreth orës 13:00, nisi më 11:00 kur protestuesit qëlluan me vezë dhe mollë në drejtim të godinës së Bashkisë Tiranë. Lejen për organizimin e saj e mori Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, me përfaqësuese Adriana Kalanë.

Nga këshilltarët pati disa përpjekje për të hyrë në bashki e kërkuan hapjen e dyerve.

Jemi në orar pune, nuk na lejojnë të hyjmë.

Me një flamur në dorë, Tedi Blushi tentoi të kalonte kordonin e policisë. Në mënyrë të përsëritur, turma shtynte policët që qëndronin para hyrjes.

Nuk munguan devijimet e trafikut. Policia e Shtetit njoftoi bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye u sugjerua që deri në përfundim të tubimit, të përdoreshin rrugë alternative, të tilla si Unaza e Mesme dhe po ashtu Unaza e Madhe.

Një ditë më parë, policia njoftonte: 

Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm.