Sport

Prej një jave në koma, ndahet nga jeta piloti i njohur spanjoll!

Zi në sportin e motoçiklizmit. Piloti Carles Falcon, që u rrëzua një javë më parë në Rally Dakar 2024, ka ndërruar jetë këtë të hënë në spitalin e Rijadhit, ku ishte transferuar me një fluturim special.

Falcon garonte me një KTM privat në Arabinë Saudite dhe u rrëzua 15 kilometra nga fundi, duke përplasur kokën. Ai u mbajt në jetë me masazh kardiak dhe u dërgua me helikopter në spitalin e Al Duwadimit.

Pikërisht aty iu nënshtrua edhe një operacioni urgjent dhe me ndihmën e pajisjeve dhe një avioni special, u transferua në spitalin e Rijadhit, kryeqyteti i Arabisë Saudite.

Për një javë, piloti me origjinë nga qyteti katalan i Tarragonës, qëndroi në koma, teksa mbylli sytë përgjithmonë këtë të hënë, duke u bërë viktima e radhës e garave të Rally Dakar.

“Carles u nda nga jeta këtë të hënë më 15 janar. Ishte një djalë i qeshur, gjithmonë aktiv dhe që bënte me pasion gjithçka që donte e mbi të gjitha dashuronte motoçikletën. Ai u nda nga jeta duke bërë pikërisht atë që donte më shumë, të garonte në Dakar”, shkroi skuadra e tij në njoftimin për vdekjen e pilotit katalan.

Me ndarjen nga jeta të Falcon, shkon në 80 numri i pilotëve të vdekur gjatë garave të Dakarit, në 45 vite të ekzistencës së tyre. Rally Dakar u largua në 2009-ën nga Afrika e Jugut, për t’u zhvilluar në Amerikën Latine dhe 5 vite më parë, është zhvendosur në Gadishullin Arabik.