Bota

Presidenti Biden: I dërguam mesazh privat Iranit lidhur me sulmet e Houthi!

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se SHBA-ja i ka dërguar një mesazh privat Teheranit në lidhje me Houthi-t e mbështetur nga Irani, përgjegjës për sulmin e anijeve tregtare në Detin e Kuq, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

 “Ne e dorëzuam atë privatisht dhe kemi besim se jemi të përgatitur mirë”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ushtria amerikane goditi një vend tjetër të kontrolluar nga rebelët Houthi në Jemen, për të cilin tha se vinte në rrezik anijet tregtare në Detin e Kuq.

Komanda Qendrore e SHBA tha se “aksioni vijues” më 13 janar me target një tjetër vendndodhje të grupit Houthi, u krye nga shkatërruesi i Marinës USS Carney me raketa “Tomahawk”.

Ditën e djeshme SHBA dhe Britania shtrinë sulmet e tyre kundrejt grupit nga Jemeni në 28 vende duke goditur më shumë se 60 objektiva.

Rebelët Houthi në Jemen thonë se do t’i kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të forcave amerikane dhe britanike.

‘Ne do të kemi një përgjigje të fortë dhe efektive’. Kështu tha zëdhënësi i rebelëve Houthi Nasreddin Amer, ndërsa shtoi se nga bastisjet gjatë natës nuk ka pasur dëme apo viktima.

“Nuk pati të lënduar, asnjë humbje materiale apo njerëzore,” tha ai për Al-Jazeera.