Tech

Prodhuesi më i madh në botë i çipave vjen me lajme të mira, TSMC në kërkim të inxhinierëve të rinj!

Taiwan Semiconductor Manufacturing Co Ltd (TSMC), prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë, do të rekrutojë më shumë se 6,000 staf të ri në vitin 2023. Nxitja e punësimit vjen pavarësisht nga një rënie globale në industrinë e çipave. Sipas TSMC, kompania do të kërkojë inxhinierë të rinj me diploma bachelor, master ose doktoraturë në inxhinieri elektrike ose fusha të lidhura me softuerin, në qytete në të gjithë Tajvanin.

Paga mesatare e përgjithshme e një inxhinieri të ri me diplomë master është 61,574.53 euro. Rënia e kërkesës për pajisje elektronike dhe nivelet e larta të inventarit pas mungesës së disa çipave kanë çuar në një rënie për industrinë e gjysmëpërçuesve.

Që nga fundi i vitit 2022, një numër i kompanive të çipave në mbarë botën kanë frenuar investimet. Intel Corp kohët e fundit njoftoi se do të shkurtojë pagesat për stafin dhe drejtuesit e nivelit të mesëm nga 5% në 25%. Dominimi i TSMC në prodhimin e disa prej çipave më të avancuar për klientët e nivelit të lartë si Apple Inc e ka mbrojtur atë nga rënia.

Kompania uli lehtësisht shpenzimet e saj kapitale vjetore për vitin 2023 dhe parashikon një rënie të të ardhurave për tremujorin e parë, por ka deklaruar se pret që kërkesa të rritet deri në gjysmën e dytë të këtij viti. Rikujtojmë, se TSMC vitin e kaluar tha se do të trefishojë investimin e tij në një fabrikë gjigante amerikane në 40 miliardë dollarë. Është një nga investimet e huaja më të mëdha në historinë amerikane. Njoftimi erdhi pasi Presidenti Joe Biden dhe shefi i firmës me bazë në Tajvan hapën fabrikën në Arizona. TSMC është prodhuesi më i madh në botë i mikroçipave për kompani të tjera, me klientë përfshirë Apple.