Bota

Rriten tensionet në Lindje! Polonia në “gjurmët” e Bjellorusisë: Do të mbajë armë bërthamore amerikane!

“Polonia dëshiron të mbajë armë bërthamore në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- kështu është shprehur kryeministri polak Mateusz Morawiecki, citojnë agjencitë shtetërore ruse.

Agjencitë e lajmeve TASS dhe RIA thonë se polakët janë të prirur për të pritur armët në përgjigje të vendosjes së armëve bërthamore ruse në Bjellorusi.

Me heret Rusia ka vendosur të shtyjë përpara planin e saj për të zhvendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, konfirmoi lideri bjellorus, i cili deklaroi se kokat e raketave bërthamore ishin tashmë rrugës.

Kjo shënon vendosjen e parë të Kremlinit të bombave të tilla bërthamore përtej kufijve të Rusisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Departamenti amerikan i Shtetit dënoi planin, por tha se Uashingtoni nuk kishte ndërmend të ndryshonte pozicionin e tij për armët bërthamore strategjike ose nuk kishte parë ndonjë shenjë se Rusia po përgatitej të përdorte një armë bërthamore.

Por, presidenti rus Vladimir Putin thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po zgjerojnë luftën kundër Rusisë që kur Kremlini dërgoi trupat e tij në Ukrainë 15 muaj më parë.

Plani për zhvendosjen bërthamore u njoftua nga Putini në një intervistë me televizionin shtetëror më 25 mars.