Art & Kulturë Film & Tv

“Sharper, një film që hiqet më i zgjuar nga ç’është. Kritikë.

Shikon trailerin dhe mendon, ky është filmi që doja. Sebastian Stan luan një mashtrues të quajtur Max, që së bashku me të dashurën e tij, Madeline (Julianne Moore), godasin të krimburit në para duke i zgrapur çdo gjë që kanë. Në një moment dobësie të të dyve, pjesë e skemës bëhet Sandy (Briana Middleton), e cila pasi mëson hilet e zanatit zë në grackë një pinjoll të një familje të kamur, edhe pse në dukje një djalosh i thjeshtë, Tom-in (interpretuar nga Justise Smith). I treguar në një formë shumë origjinale filmi i Apple TV + dhe A24, arrin fillimisht të të bëjë përshtypje pozitive duke të shkrehur plotësisht në aktin e tij final.

I shkruar nga Brian Gatewood dhe Alessandro Tanaka, filmi ka një lloj hijeshie që e bën joshës që në shikim të parë. Max-i i Stan-it është çarmatosës, një burrë me vetbesim të tillë mund ta kemi parë vetëm në Big Brother edhe pse nga eleganca mund të jenë vite dritë larg. Skenat e tij të vënë në një lloj parehatie, por nuk mundesh të mos tërhiqesh prej tyre. Sandy, e ngrohtë dhe empatike shpesh shërben edhe si busulla e shikuesit, duke mishëruar eksitimin e një vjedhjeje të pacipë dhe dallimiin mes të mirës e të keqes. Max, Sandy dhe Tom janë mjaftueshmërisht të komplikuar për ta bërë filmin e mprehtë, të tillë – Madeline e bën atë një lëmsh e li të panevojshëm.

Të kuptohemi kjo nuk ka fare të bëjë me lojën e Julianne Moore e cila dominon çdo skenë ku ndodhet. Në një rrjet tubacionesh kaq të koklavitura, një koklavitje më tepër nuk i sjell asgjë të mirë filmit. Është shumë e vështirë në një film të krijosh thellësi të një marrëdhenieje aq më shumë rritet vështirësia  kur marrëdhëniet bëhen më shumë se dy. Fundi i sheqerosur e bën filmin nga një thriller interesant në start në një melodramë me prejardhje orienti.

Thrillerat e krimit janë gjithmonë e më pak të zgjuar në vitet e fundit, e kjo ndodh kryesisht prej konkluzioneve që ata kanë. Qëllimi i një thrilleri nuk është i njëjti i një komedie romantike. Potencialisht “Sharper” mund të ishte një thriller dinamik me një fund befasues. Fundi është dështimi i tij më i madh. Estetika e fotografisë dhe tregimi jo linear e bëjnë filmin një mundësi të çuar dëm. Mashtruesit nëpër filma, programe televizivë e më pak në jetë, janë tërheqës e interesantë. Po aq interesante janë edhe lidhjet treshe – si në rastin e ndjenjave të katër personazheve të filmit skena të cilat shpesh shterrojnë shpejt – për t’i dhënë më shumë hapësira zgjidhjeve afër-mendjes.

Filma si “American Hustle”, “Catch Me If You Can” apo “Oceans Trilogy” të shijojnë nga trilli eksitues i t’ia dalit me mashtrimin tënd! Të bësh një krim për të cilin nuk dënohesh. “Sharper” zgjedh të bëjë totalisht të kundërtën e kësaj duke i lodhur kryesisht 40 minutat e fundit të tij. Fundi është jo vetëm i parashikueshëm por edhe i lodhshëm. Një histori e errët dhe e ogurzezë në nisje, ka një fund me kordele të kuqe. Robin Hood-ët e Hollywood-it janë heronj po aq sa anti-heronj. Nuk e di se cili ka qënë qëllimi i mprehtë i “Sharper”, di vetëm që nuk është i duhuri.