Aktualitet

Sot dita e rikthimit me ligj të basteve online!

Sot hyn zyrtarisht në fuqi ligji i lojërave të fatit, që i hap rrugën rikthimit të basteve sportive vetëm online. Pesë vite pas nismës së qeverisë “Fundi i Marrëzisë”, që mbylli mbi 4 mijë pika bastesh në të gjithë vendin, tashmë ato do të rihapen, por me rregulla të reja. Në total, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të jepen 10 licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti me periudhë jetëgjatësie 10 vite.

Në garë për licencën do të marrin pjesë vetëm ato kompani që kanë ushtruar aktivitet në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.

Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Po ashtu nuk duhet të kenë ndjekje penale si dhe nuk duhet të mbartin detyrime ta papaguara.

Për të aplikuar kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milion lekë, ndërkohë tarifa e licencimit për ushtrimin e këtij aktiviteti është 400 milion lekë.

Për të luajtur online, personat do të regjistrohen me kartën e identitetin në faqen web ose aplikacion. Të gjitha transaksionet do të bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe organizatorët janë të detyruar që të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër të posaçëm për tre vite.

Sipas qeverisë kjo është një masë për të kontrolluar paratë që do të qarkullojnë në këtë aktivitet.

Ndërkohë, për të mbrojtur lojtarin dhe për t’i dhënë garanci fituesit në ligj është vendosur që organizatori i basteve sportive online duhet të ngurtësojë një fond prej 120 milion lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Dhjetë kompanitë brenda datës 15 të çdo muaj duhet të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm 15% të ardhurave bruto nga loja, kurse lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, pra me fasha nga 13-23%.

Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji, janë për krijimin e Fondit të Posaçëm që shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, si dhe teknologjisë së inovacionit.

Sistemet e këtyre kompanive bastesh do të auditohen nga Komisioni i Licencave. Hapja e basteve sportive online pritet të sjellë në Buxhetin e Shtetit, 2 miliardë lekë të ardhura në vit.