Aktualitet

Qeveria miraton Strategjinë Kombëtare për Migracionin/Ministri Balla: Frenim i azilkërkimit!

Qeveria miratoi sot Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024-2030 dhe Planin e Veprimit për dy vitet e para 2024 -2016. Duke folur për mediat, pas mbledhjes së Ekzekutivit, ministri i Brendshëm, Taulant Balla theksoi se “fokusi i kësaj strategjie ndahet në disa drejtime kryesore. Së pari, ka të bëjë me ndalimin e emigracionit të paligjshëm të qytetarëve shqiptarë; frenimin e azilkërkimit dhe riintegrimin në tregun e punës dhe në shoqërinë shqiptare të emigrantëve”.

Synimi ynë është në kuadër të vizionit tonë “Shqipëria 2030″ që të rrisim ofertën për të gjithë vëllezërit e motrat tona që janë në emigracion për t’u rikthyer në Shqipëri. Ndaj ky dokument i rëndësishëm mbart në vetvete gjithë masat për një riintegrim sa më të shpejtë të tyre, në tregun e punës në shoqëri.

Një tjetër aspekt është edhe menaxhimi i flukseve migratore, pra të atyre që vijnë nga vendet dhe e përdorin Shqipërinë si një vend tranziti, ku vendi ynë duhet të ketë gati të gjithë dokumentacionin me trajtimin e grupeve vulnerabël apo trajtimin e kërkesave për azil.

Balla theksoi se strategjia është një dokument i miratuar në të gjitha nivelet dhe reflekton të gjitha direktivat e BE-së për këtë çështje.

Në një tjetër vendim, sot Këshilli i Ministrave miratoi edhe një marrëveshje me Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, për hapjen e filialit të tij në Gjirokastër. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu:

Eshtë një prej universiteteve më prestigjioze në botë, me modalitetet e studimit në distancë dhe të përzier. Një universitet shtetëror i Spanjës që do të sjellë një seri programesh studimi në tre ciklet e studimit, por edhe kurse të formimit profesional.

Janë mbi 30 programe studimi të ciklit Bachelor, 80 Master dhe 20 programe doktoraturash që ky universitet ofron në të gjitha vendet e botës, pasi është një prej universiteteve të edukimit në distancë, me shtrirje dhe filialet e tij janë në më shumë se 20 vende të hapura në mbi 70 qytete.

Hapja e këtij universiteti në Gjirokastër, hap një tjetër perspektivë zhvillimi për arsimin e lartë në Shqipëri dhe veçanërisht në Gjirokastër ku do të ndërlidhen edhe programet e studimit me trashëgiminë kulturore, turizmin e të gjitha aspektet të zhvillimit ekonomik që presin jo vetëm Gjirokastrën, por të gjithë vendin.

Kjo ofertë do të ketë interes të shtuar nga studentët shqiptarë, ata të Ballkanit Perëndimor, rajonit e më gjerë, të cilët mund të regjistrohen në kampusin e Gjirokastrës që pritet të hapet që në këtë vit akademik dhe pritet ta fillojë në vitin akademik 2024-2025. Janë më shumë se 150 mijë studentë që ndjekin programet e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë të Spanjës, me gjithë shtrirjen që ka në vendet e botës.