Aktualitet

“Tetori Top”, festa e Top Medias për nisjen e sezonit të ri!

Siç është bërë traditë, çdo tetor Top Channel feston nisjen e sezonit të ri televiziv. Festa lidhet me themeluesin e këtij televizioni, ditëlindjen e Dritan Hoxhës. Shumë arsye për të bërë gëzuar: për një vit super të suksesshëm, por edhe sfidues që lamë pas e për shumë të tjerë që do të vijnë. Që nga informacioni koherent dhe i besueshëm e deri tek programet për shijet dhe preferencat e secilit. Debate politike, investigim, argëtim dhe art, gjithnjë Top Channel është zgjedhja e parë për të gjithë shqiptarinë. CEO e Top Channel, Lori Hoxha:

Aq shumë sa e dua të renë e të jem avangarde, aq shumë dhe dua të ruaj traditën. Sidomos këto traditat e bukura që Top Channel ka dhe që na mbajnë kaq afër me njëri-tjetrin siç është tetori. Dhe në këtë tetor për mua është akoma më e rëndësishme, për shkak se vijmë nga një vit shumë i suksesshëm televiziv dhe jo vetëm. Kështu që e kisha të rëndësishme ta tregoja që ne në Top Channel duam të shohim përpara aq shumë sa ndonjëherë e kemi të rëndësishme të ruajmë atë që na ka bërë të jemi ata që jemi sot.

Për CEO-n e televizionit, Lori Hoxha, viti i parë i drejtimit ka prekur majat, por edhe ka kaluar sfida që siç theksoi, edhe skenaristët më të mirë të Top Channel nuk do t’i kishin parashikuar aq dramatikisht. Por, dashuria për punën ka bërë që të tejkalohet çdo gjë në emër të shërbimit ndaj publikut dhe skrupolozitetit në punë.

Ky ka qenë realisht një vit shumë sfidues për të gjithë ne dhe ka qenë një aventurë e madhe. Dhe po ta shkruanim me gjithë stafin tonë kreativ, nuk do të kishte qenë dot kaq dramatik. E vetmja gjë që mund të them është të rimblidhemi, njëherë në vit, për t’i premtuar njëri-tjetrit që do bëjmë maksimumin tonë dhe për të parë se çfarë do të thotë kjo për ne në vitin që vijon. Sepse kjo është gjeneza e Top-it.  Të ndërtosh diçka që e do dhe një gjë që askush nuk e kupton përveç teje.

Ajo që di të bëjë mirë familja e madhe e Top Media-s është të jetë e para, më e suksesshmja dhe ta festojë këtë moment. Festat na kanë ndjekur që nga koha e themeluesit Dritan Hoxha, i cili sot do të festonte 55-vjetorin. Por krijesa e tij vazhdon dhe urimi për të vazhduar shumë vite e dekada të tjera në trashëgimi i bën këto festa edhe më kuptimplota.

Do të doja t’ju kisha gjithmonë në këtë sallën kaq plot dhe me këto festa që ne i bëjmë përvit për të kujtuar pak traditën për të kujtuar atë që ishte im atë në 55-vjetorin e tij. Dhe që mua më duhet ta përmend çdo ditë pak e më pak për t’ju dhënë siguri juve. Sepse në fakt siguria e vetme që Top Channel ka, është puna që bën çdo ditë për të përmirësuar veten, për të përmirësuar vendin dhe jetën tonë. Trashëgimia dhe ajo që Tani la pas, është ajo që qëndron edhe kur të mos jesh më. Uroj që Top Channel të jetë edhe kur ne të mos jemi këtu! Ju jam mirënjohëse, jeni më të mirët, më guximtarët! Keni treguar që dini t’i bëni ballë fjalëve, dëmtimeve, plumbave, të qeshurave, festave dhe dua t’ju kem gjithmonë pranë për të festuar e për t’ja dalë të jetojmë në këtë realitet që shpesh herë është më i bukuri dhe shpesh herë është goxha sfidues./Top Channel