Aktualitet

Trashësia e dëborës deri në 45 cm! Izolohen fshatrat e Bulqizës dhe Matit, banorët pa energji elektrike!

Është rënduar situata nga reshjet intensive të dëborës në Bulqizë dhe Mat.

Reshjet e dendura të shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta ka bllokuar rrugët rurale të njësive të bashkisë Bulqizë, Mat dhe Klos duke lenë të izoluar shumë fshatra pasi trashësia e dëborës ka shkuar nga 35 deri në 45 centimetra.

Reshjet e shoqëruara me ngrica në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët nacionale, si dhe në rrugët brenda qytetit të Bulqizës, por jo vetëm, stuhitë e forta të dëborës ka detyruar të mbyllen edhe bizneset.

Ndërkohë mësohet se në shumë fshatra të njësive administrative Bulqizë mungon energjia për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe ato të ulët.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ka shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë në të gjitha akset rrugore urbane e rurale, për shkak të motit që vijojnë të bien reshje të dendura dëbore, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve. Aktualisht rruga e Arbrit pjesa e aksit të bypass Qafë Murrizë për shkak se vijojnë të bien reshje të dendura dëbore, vijon të jetë i bllokuar dhe lëvizja e automjeteve drejt Tiranës dhe anasjelltas, vijon të kryhet nga aksi i vjetër rrugor. Akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Peshkopi-Kala e Dodës -Kukës; janë të kalueshme dhe lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë. Njëkohësisht, Inspektorët dhe specialistët e policimit në komunitet janë në zonat që mbulojnë dhe janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje. Policia e Dibrës apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të mos qarkullojnë pa goma dimërore e zinxhirë dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren.”