Aktualitet

Aksidenti masiv te Shallvaret, 9 të plagosur/Shoferi i autobusit të Unazës: Nuk u ndjeva mirë, kam probleme shëndetësore!

Vazhdojnë hetimet për aksidentin masiv pranë zonës së Shallvareve në kryeqytet, me pasojë plagosjen e nëntë personave, shumica pasagjerë të autobusit të linjës së Unazës që u përplas me disa makina. Ata u paraqitën për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës e fatmirësisht janë jashtë çdo rreziku për jetën.

Raportohet se krahas autobusit, në përplasje u përfshinë 11 automjete e paraprakisht dyshohet se shkak u bë shpejtësia e lartë. Në dëshminë e zbardhur për mediat, shoferi i autobusit i tha grupit hetimor se nuk u ndje mirë nga ana shëndetësore dhe se vuan nga diabeti e probleme me zemrën.

Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk rezultoi nën efektin e pijeve alkoolike. Në një deklaratë për mediat nga vendngjarja, Shefi i Qarkullimit të Tiranës, Taulant Gjoka, bëri të ditur se ende nuk mund të japin verdiktin final.

Policia njofton:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak minuta më parë, ku rreth orës 11:35, në vendin e quajtur “Ura e Tajvanit”, një autobus i linjës së Unazës është përplasur me disa automjete, ju sqarojmë se: Si pasojë janë dëmtuar shtetasit: A. Xh., 63 vjeç, (drejtuesi i autobusit), M. S., 35 vjeçe; G. P., 27 vjeç dhe V. P., 27 vjeç; O. G., 52 vjeç dhe J. C., 31 vjeçe, D. N., 27 vjeç, K. A., dhe E. H., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës dhe shërbimet e Policisë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Pas rreth dy orësh bllokim, rruga ku ndodhi aksidenti në afërsi të “Urës së Tajvanit” në Tiranë, u hap për qarkullimin e mjeteve.