Film & Tv Gossip Showbiz

“Arturito” i La Casa de Papel, së shpejti në një produksion shqiptar?!

Sot startoi rrugëtimin e tij emisioni më i ri radiofonik “@ The Movies” me Edin dhe Artën. Në episodin e parë të tij ishte i ftuar edhe regjisori i mirënjohur Andi Deliana. Në studio u diskutua për karrierën e tij dhe veçanërisht për filmin më të fundit që titullohet “Misioni.”

Ngjarjet në filmin me titull në anglisht “My mother is a Cosmonaut” vendosen në Shqipërinë dhe Francën e viteve ‘80. Regjisori Andi Deliana thotë se drama e filmit mbështetet me metaforën e një jete të shkuar nën gënjeshtër, ku ëndrrat marrin më shumë rëndësi se sa realiteti. Këto ditë në Shqipëri regjisori i njohur së bashku me producenten Ana Rebichia janë ndalur për të parë vendet e xhirimit të filmit, i cili do të ketë në role aktorë shqiptarë dhe të huaj.

Për sa i përket kastit të aktorëve, regjisori na zbuloi disa emra mjaft të rëndësishëm që pritet të jenë pjesë e filmit si aktori spanjoll Enrique Arce, i njohur për rolin e tij mjaft të arrirë si Arturo Roman në serialin e famshëm “La Casa de Papel.” Deliana tha se agjenti i Arce-s ka shprehur interes për projektin ndërsa me shumë mundësi ai pritet të jetë pjesë e xhirimeve.

“La casa de Papel’ ka bërë bujë anë e mbanë botës dhe të rrallë janë ata persona që nuk e e kanë parë serialin. Gjithashtu edhe në Shqipëri mbetet një ndër serialet më të preferuara të momentit dhe ky lajm është mjaft interesant për fansat e serialit të njohur të cilët do ta shohin “Arturito-n” të bëhet pjesë e këtij produksioni. Regjisori përmendi se ka biseduar me të për rolin dhe gjithçka, por ende nuk është e sigurtë për shkak të situatës së koronavirusit.

Ndërkaq një tjetër aktor i famshëm Michael Madsen i njohur për rolet e tij në filmat e regjisorit Quentin Tarantino si “Kill Bill” apo “Reservoir Dogs” me shumë gjasa do të jetë pjesë e kastit të aktorëve. Emra të tjerë të rëndësishëm që do të jenë pjesë e xhirimeve janë edhe aktorë të tjerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si Arben Bajraktaraj, Ndriçim Xhepa, Gent Bejko, Ardian Cerga, Lia Sanchez, Luis Lombardi etj.

Sidoqoftë ne po presim me padurim realizimin e filmit me në kast edhe aktorin e famshëm të “La casa de Papel.” Pjesëmarrja e tij në film do të jetë edhe një arsye më shumë për ta parë dhe shijuar bashkë me aktorët tanë shqiptarë.