Bota

Biden dhe Xi shtrëngojnë duart: Të gjejmë rrugën e duhur e të adresojmë rivalitetin!

Në punimet e G20-ës në Bali të Indonezisë, presidentët e Amerikës e Kinës, Joe Biden e Xi Jinping u takuan dhe u përshëndetën me një shtrëngim të ngrohtë të duarve.

Xi: Kënaqësi t’ju shoh përsëri që nga hera e fundit më 2017-ën. Ne duhet të gjejmë kursin e duhur të marrëdhënieve përmes shkëmbimeve të ndershme.

Biden: Si udhëheqës të ekonomive kryesore të botës, ne duhet të menaxhojmë konkurrencën mes dy vendeve tona.

Udhëheqësit e SHBA-ve e Kinës, sot takohen në Bali e bisedojnë për ringjalljen e marrëdhënieve mes dy fuqive, në atë që ndoshta është pika më e ulët e marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit e Pekinit në 50 vitet e fundit. Në Bali zhvillojnë të parin takim direkt si presidentë, ndërsa kur të dy ishin nënpresidentë, u takuan 11 herë mes viteve 2009 e 2011. Xi Jinping deklaroi:

Ata na shikojnë me shpresën e paqes. Në samitin e Balit, komuniteti ndërkombëtar sheh mundësinë që marrëdhëniet SHBA-Kinë të vendosen në rrugën e duhur, për t’i dhënë shpresë paqes botërore.

Aktualisht, marrëdhënia Kinë-SHBA është në një situatë që na shqetëson shumë, sepse nuk është në interesin themelor të dy vendeve tona e nuk është ajo që pret nga ne komuniteti ndërkombëtar. Bota pret që ne të menaxhojmë marrëdhëniet tona. Ne duhet të punojmë me të gjitha vendet për të rritur shpresën për paqen botërore, besimin në stabilitetin global dhe një shtysë të fortë për zhvillimin e përbashkët.

Para samitit, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi të mos priteshin kthesa të bujshme:

Ne nuk po kërkojmë një rivendosje, siç u përpoq nga administrata Obama.

Në tetor, Kina ftoi Shtetet e Bashkuara të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin e tashmë edhe në sfondin e mungesës së Vladimir Putinit në samitin e G20-ës.

Nga Tajvani, te teknologjia, nga mjedisi te qëllimet ndërkombëtare, Kina dhe SHBA gjejnë me vështirësi vizionet e politikës së përbashkët. Por, rivalët strategjikë kanë zbuluar vullnetin për një “shkrirje”. Jake Sullivan, këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, tha:

Ne jemi në mes të një konkurrence të ashpër, por presidenti nuk dëshiron që ajo të rrëshqasë në konflikt e shpreson të identifikojë fushat e bashkëpunimit të mundshëm.