Health & Beauty

Dita Botërore e Zemrës, 17.5 mln vdekje të parakohshme çdo vit në botë!

Çdo vit më 29 shtator festohet Dita Botërore e Zemrës, e krijuar në vitin 2000 me iniciativën e Federatës Botërore të Zemrës dhe OBSH-së për të informuar dhe rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare.

Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra e Kardiologjisë Monzino, në Itali sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i sëmundjeve dhe vdekshmërisë së hershme në botë: një në dhjetë njerëz vdesin midis moshës 30 dhe 70 vjeç në botë, si pasojë e këtyre sëmundjeve.

Sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për më shumë se 17.5 milionë vdekje të parakohshme çdo vit dhe pritet të rriten në 23 milionë deri në vitin 2030.

Mundësia e përmbysjes së skenarit të së ardhmes është në duart e secilit prej nesh, siç na kujton Dita Botërore e Zemrës. Dita synon të tërheqë vëmendjen ndaj mundësisë së kundërveprimit të faktorëve të rrezikut kardiovaskular me stilin e duhur të jetesës: mospirja e duhanit, ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik, kontrolli i stresit.

Sipas Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve, duhani është përgjegjës për 2 milion e 370 mijë vdekje të parakohshme kardiovaskulare në mbarë botën, ndërkohë që 743,000 vdekje shkaktohen nga pirja pasive e duhanit. Mjekët këshillojnë të mos pihet duhani dhe të ndërpritet menjëherë tek ata që janë tashmë duhanpirës.

I njëjti studim vlerëson se 6.8 milionë vdekje kardiovaskulare janë të lidhura me një dietë jo të shëndetshme. Diskutimi është padyshim më i ndërlikuar se ndalimi ose promovimi i disa ushqimeve. Indikacioni i përgjithshëm është ulja e kripës, e cila është armiku i presionit të gjakut dhe ndjekja e një diete mesdhetare.

Edhe studimet më të fundit konfirmojnë se ata që ushtrojnë aktivitet fizik rregullisht kanë një ulje deri në 30-40% të rrezikut të zhvillimit të problemeve të zemrës në krahasim me njerëzit e tjerë. Aktiviteti fizik thotë studimi ndihmon në kontrollin e faktorëve kryesorë të rrezikut si hipertensioni, dislipidemia dhe diabeti. Këshillohet ecje e shpejtë për 40 minuta të paktën 3 herë në javë.

Ndërkohë një tjetër studim me 25 njerëz në 50 vende të botës tregoi se njerëzit që përjetonon stres kronik të përditshëm kanë më shumë se 2 herë rrezik nga ataku në zemër në krahasim me ata pa stres. Stresi dhe depresioni  konsiderohen faktorë rreziku për zemrën.

Prandaj është e nevojshme krijimi i mirëqenies në jetën tuaj dhe pse jo më shumë humor. E qeshura, e thënë fjalë për fjalë, të bën mirë për zemrën.