Aktualitet

DPSHTRR: 30 ditë afat për kalimin e pronësisë së mjeteve pa penalitet!

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor informon të gjithë drejtuesit e mjeteve në lidhje me detyrimin për kalimin në pronësinë e tyre të mjeteve të blera brenda afateve kohore. Sipas DPSHTRR-së, kryerja e kësaj procedure i shmang ata nga penalitetet.

Kalimi i pronësisë së mjetit dhe pajisja me leje të re qarkullimi kryhet pranë sporteleve të DPSHTRR-së, kundrejt një tarife prej 1 mijë e 400 lekësh. Për çdo ditë vonesë përtej 30 ditëshit nga momenti i shitblerjes, aplikohet gjobë.

Më tej, në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor sqarohet:

Për shkelje të afatit mbi 30 ditë deri në 90 ditë kalendarike, ndëshkimi është 10 mijë lekë. Për shkelje të afatit mbi 90 ditë kalendarike deri në 1 vit, gjoba është 20 mijë lekë dhe për shkelje të afatit me më shumë se 1 vit gjoba është 40 mijë lekë.

Po referuar njoftimit të DPSHTRR-së, qëllimi është sigurimi i një qarkullimi të rregullt.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ofron kalimin e pronësisë direkt në sportele, pa noter, One Stop Shop, ku shitësi e blerësi mund të kursejnë kohë e para, duke azhurnuar dokumentet dhe verifikuar mjetin në sistem.