Aktualitet Bota

Dronët rusë godasin Odesën në Ukrainë, mes 9 të plagosurve edhe 4 fëmijë!

Dronët rusë goditën të hënën në mbrëmje një zonë banimi të qytetit jugor të Ukrainës, Odesë, duke plagosur 9 persona, përfshirë 4 fëmijë, raportojnë mediat lokale, duke cituar forcat mbrojtëse të Kievit.

Kundërajrorët ukrainas rrëzuan 15 nga 16 dronët me të cilët Rusia sulmoi rajonet Odesa, Kiev, Mikolaiv dhe Çerkasi, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës në Telegram.

Të gjithë dronët që e kishin shënjestër Kievin u shkatërruan, tha Serhiy Popko, kryetar i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, duke shtuar se nuk ka viktima apo dëme në qytet.

Në javët e fundit, Rusia i ka rritur dukshëm sulmet me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës civile dhe posaçërisht asaj energjetike, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe numër të madh të viktimave civile, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Duket se vendet evropiane, të cilat zotërojnë kundërajrorë Patriotë, po ngurrojnë t’ia japin Ukrainës ndonjë prej tyre.

Ukraina ka shumë nevojë për së paku shtatë Patriotë për t’i frenuar sulme ajrore ruse.

Të shtunën, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara e miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

Kritikët thanë se vonesat në miratimin e kësaj ndihme, lejuan Rusinë që të marrë momentumin në luftime.