Aktualitet

Ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj në Shëngjin, Top Channel tregon provat që gozhduan vrasësit!

Prova të reja dolën në dritë për grupin e vrasësve me pagesë që ekzekutuan biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill. Edmond Haxhia iku nga Shqipëria përmes Rinasit vetëm pasi u bind se vrasja për gjakmarrje do të kryhej. Më herët kishte tentuar me oferta në Fushë Krujë, madje i qe afruar aq shumë shënjestrës sa kishte luajtur futboll me të afërm të familjes Nikulaj.

Por, askush nuk e njihte pasi kishte emigruar në Angli që 14 vjeç dhe ndërkohë ishte kthyer në zonë me qëllimin për të orientuar një skuadër të huaj vëzhguesish e vrasësish që të eliminonin për gjakmarrje Ardian Nikulaj.

Policia dhe Prokuroria e Lezhës janë të bindur me prova se i dyshuari Edmond Haxhia arriti të shfrytëzojë edhe partneren e tij, e cila më 27 shkurt bleu me Akt Noterial  motorin e afishuar për shitje nga një kryeqytetas. Kur policia përfundoi krahasimet dhe telefonoi pronarin e vërtetë të motomjetit, i nxehur tha: “e kam shitur” .

Por, në një deklaratë të mëvonshme të detajuar para hetuesve tregoi emrin e pronares së re, Valbona Deda. Pikërisht ky motor u përdor nga portugezi Ruben Saraiva, i cili teksa qëndronte në Shkodër prej 14 shkurtit, nuk rezervohej kur shfaqej në video duke sharë.

Burimet e Top Channel tregojnë se si prova e pakundërshtueshme është ADN-ja që lidh të kërkuarin Harry Simson, në rolin e vëzhguesit me të njëjtin profil gjenetik të gjetur në mjetin e marrë me qira nga Edmond Haxhia.

Hetuesit pretendojnë se kjo provë tregon lidhjen mes të dyve. Haxhia shfaqet në pamjet që Top Channel disponon teksa largohet nga Shqipëria, pasi aty kishte mbërritur çifti i dytë i vëzhguesve. Profili i dytë i pretenduar lidhet me ADN-në e siguruar në një nga veshjet e përdorura nga vrasësi e që përputhet me profilin e gjetur në një çamçakëz në banesë.

Bëhet e ditur se në këtë hetim, nuk ka asnjë të penduar, ndërsa brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat e t’ia dërgojë Britanisë së Madhe ndaj të arrestuarve Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan e Harriet Harriet Bridgeman. Në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson./Top Channel