Rajoni

“FH”: Refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën, sfidë e madhe demokratizim!

Pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës, pozita e këtij vendi në rrugën drejt demokratizimit ka mbetur e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Kjo thuhet në raportin e “Freedom House”-it për nivelin e demokracisë në disa rajone të Europës dhe Azisë. Problemet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kyçe në përparimin e Kosovës.

Në vlerësimin për vitin 2023 me 1 deri në 7 pikë e ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta më të lartin, Kosova vazhdon të ketë 3.29.

Sa u përket vendeve të rajonit, edhe Shqipëria e Kroacia nuk kanë ndryshuar pozitë ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit. Përveç Kroacisë, vendet e tjera të Ballkanit janë në listën e atyre me regjim hibrid të qeverisjes, sipas vlerësimeve të “Freedom House”-it, organizatës me seli në Uashington.

Kosova përmendet si vend me regjim hibrid të drejtuar për nga demokracia, Serbia drejt autokracisë, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, si të përziera nga të dyja anët.

Protestat në veriun me shumicë serbe, incidenti në Banjskë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Në pjesën për Kosovën, në raportin e “Freedom House”-it përmendet se më 2023-s, mospajtimet me Serbinë kanë hyrë në një fazë të re të përshkallëzimit të tensioneve.

Protestuesit serbë të Kosovës u përplasën fizikisht dhe plagosën 30 trupa të NATO-s në muajin maj. Ndërkaq, serbë të armatosur kryen një sulm në shtator në të cilin u vranë katër persona, mes tyre një efektiv policie.

Përshkrimi ishte një referencë për protestat e majit 2023 në tre komuna të veriut të Kosovës: Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Kjo në shenjë kundërshtimi për hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në godinat komunale, si dhe për sulmin e shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e në shkëmbimin e zjarrit edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Milan Radoiçiç, i cili besohet se tani është në Serbi e për të ekziston një fletë-arrest ndërkombëtar nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL).