“HistoGri” është një program radiofonik që çdo javë sjell histori me një anë të errët e të pazbuluar apo folur publikisht për personazhe dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë në atë që kanë bërë. Në këtë program flitet për emra të njohur të muzikës, filmit, politikës dhe jetës publike apo edhe për ngjarje të njohura në histori të cilat kanë një anë të patreguar, pak të njohur dhe aq shumë të errët me dritëhije të forta që shkojnë paralel me famën, shkëlqimin, qasjen publike apo historinë.
Një tjetër emër i madh, i jashtëzakonshëm, këtë radhë nga kinemaja… Bota e artit parë nga jashtë, duket se e gjitha shkëlqen nga dritat, sharmi, imazhet e bukura, mirësjellja dhe buzëqeshjet e natyrshme para çdo daljeje publike. Por thellë thellë në shumë pjesë të saj fshihen histori te errëta dhe hermetike, shoqëruar nga plot mister dhe drama. Kjo histori është për Marlon Brando. Ikonik si ai, me disa histori personale kaq të dyshimta.
Kjo është historia e një vrasjeje, tipike për romanet kriminale, që nëse do të ishte shkruar do kishte qenë best-seller. Absolutisht shumë intrigues sepse i ka të gjitha elementet. Një vendndodhje shumë egzotike, një vrasje pa deshmitarë, nje skenë krimi plot me të dhëna dhe gjurmë, si dhe protagonist në histori, nje aktor të njohur, fitues i çmimit Oscar Marlon Brando.
Ndoshta nuk është e lehtë të jesh fëmija i një ylli te kinemasë. Por po aq besoj nuk është e lehtë edhe nëse lind në një familje të varfër dhe me një mal problemesh. Por nga pikëpamje e ekuilibrit emocional, edhe kur lind nga prindër të famshëm dhe të pasur mund të shndërrohesh në një problem. Christian Brando është fëmija i këtyre të fundit. Dallohet menjëherë nga mbiemri, se cili është i ati. Aktori i madh me famë, Marlon Brando, i shumëvlerësuar që nga kritika kinematografike deri tek publiku femëror që në rininë e tij ishte ndër më të bukurit e kinemasë. Ai ka plot role e karaktere në filma, si “The Wild One”, “Perballë Portit”, “Jul çezari”, “Kontesha nga HongKongu”, i pazëvëndësueshmi “Paddrino” apo “Apocalipse Now”.
I biri Christian jetonte në një ishull privat në Polinezi, në brigjet e Tahitit dhe ishte shumë më mirë sesa ata që jetojnë në rrugë, gheto apo lagjet e varfra e të pashpresa. Por për Christian kjo lloj mirëqënie dhe parajse që e rrethonte ishte shndërruar në një problem. Ai ishte bërë shpesh dëshmitar i mjaft sherreve, të një seks-simboli për shumë femra siç ishte i ati dhe i së ëmës, Anna Kashffi, një aktore shumë e bukur britanike me origjinë Indiane, një yll i filmave western në vitet ’50, që në atë periudhë të martesës ishte shndërruar në nervozë e alkoolizuar dhe mbi të gjitha xheloze.
Por kur gjykata pas divorcit të të dyve vendosi t’i besojë djalin babait Marlon, si pasojë e problemeve të mamasë me drogën, ajo e rrëmben të voglin duke përfituar nga mungesa e ish-bashkëshortit në shtëpi. Marlon Brando ishte duke xhiruar Tangon e Fundit ne Paris, kur ish-gruaja e merr Kristianin dhe e dërgon për në periferi të Kalifornisë.
Pra nuk ishte një fëmijëri e qetë ajo e Christian Brando që veç problemeve të prindërve i shtohen edhe ato të tijat. Ai braktis shkollën, ka adoleshencë të turbullt, në rini martohet dhe divorcohet dhe gruaja e tij vendos në shkaqet e divorcit arsyen se Christian pati tentuar ta përdhunonte e ta vriste. Ndaj në jetën e tij nuk ishin të pakta telashet si ajo e plagosjes me armë të shokut të ngushtë dhe kjo për shkak të kombinimit të dy pasioneve të rrezikshme, e para dashurisë që kishte për armët dhe e dyta përdorimit të vazhdueshëm të drograve te ndryshme.
Por i rikthehemi historisë që jetën e Marlon Brando e bëri më të vështirë… të komplikuar… sepse i biri e futi në një situatë pa krye…
Në 17 maj të vitit 1990 në orën 11 në mbrëmje, Christian Brando ndodhej në vilën e babait të tij, jo në atë përralloren në brigjet e Tahitit, por edhe kjo tjetra gati e tillë. Një kompleks rezidencial me 3 vileta, brenda dhjetëra hektarësh fermë dhe pyje, në Los Angelos. Christian ishte i dehur. Mban në dorë një pistoletë kalibër 45, brenda njerës prej dhomave të vilës, ulur në një nga kolltuqet e kushtueshëm gjendej i ulur nje burrë, i gjatë muskuloz që po shihte televizor. Pasi e sheh nga përtej xhamit të dhomës, Christian futet brenda furishëm dhe ia drejton pistoletën në kokë duke bërtitur “Ke rrahur motren time i mallkuar”. Ndërkohë në anën tjetër të vilës, aty ku po qëndronte mes miqsh Marlon Brando dëgjon një të shtënë të fortë pistolete. Vila është e madhe por pistoleta kalibër 45, ushton shumë në qitje dhe dëgjohet fort, sidomos nëse është natë. Dhe të shtënën e dëgjuan të gjithë të ftuarit atë mbrëmje, por edhe shërbyesit e familjes.
Marlon Brando është i pari që shkon në vendngjarje dhe sheh të birin në këmbë me pistoletë në dorë dhe atë burrë të gjatë me një plumb në kokë, të shtrirë në dysheme. Kërkon t’i vijë në ndihmë duke i bërë edhe frymëmarrje gojë më gojë por asgjë nuk mund ta shpëtonte viktimën. Në këto kushte Brando lajmëron policinë. E gjithë skena dukej si film, nga ato që Brando kishte realizuar në shesh-xhirime dhe me kamera përpara, por në këtë rast gjithçka ishte shumë e vërtet, e aspak fiksionale. Agjenti i parë i patrullës së policisë që mbërrin në shtëpinë e krimit, ishte Steve Cuningham, që i vendosi prangat menjëherë autorit, Christian Brandos, ndërsa agjenti i dytë që mbërrin pak më pas, Steve Austin nga Departamenti i Krimeve në Policisë e Los Angelos e shoqëron në paraburgim me akuzën, vrasje të vullnetshme. Dhe siç ndodh në momentin e ndalimit, policia shkrep fotografinë ballore dhe profil të Christian të cilat përfundojnë nëpër gazetat dhe revistat e qytetit. Tipikisht të njejtat që ju kanë bërë edhe dhjetëra yjeve të tjerë të muzikës dhe filmit, të arrestuar nga policia së paku një herë në jetë.
Christian në mek-shootin e policisë është i shpërfytyruar dhe me flokë të shprishur, me mjekër të lënë pasdore, si endacak rruge dhe vështrimin e përhumbur. Pra imazhi i një autori krimi të sapondaluar nga ngjarja. Atë natë mbante veshur një këmishë me vija që e tregonte edhe më të madh në moshë. Edhe në deponimin e parë Brando i riu e pranon se e kishte kryer ai vrasjen, por jo pa shkak. Por cili ishte viktima, dhe pse kjo ngjarje ishte nje pikë kthese që i shkatërroi jetën edhe Marlon Brando?
Christian ka nje motër që quhet Chayene, Tahita Chayene Brando. Edhe për të nuk ishte e lehtë të ishe fëmija i aktorit më me famë e ndikim në kinematografinë e viteve ‘70 në Hollywood. Në moshën 11-vjecare, Chayene u mburrej shoqeve të shkollës se ishte vajza më e bukur dhe më e mençur në të gjithë Polynesine, por edhe më e pasura pasi ishte e bija e një aktori shumë të famshëm.
Egoiste, megallomane por edhe karakterialisht e dobët dhe e pasigurt, e re ajo ishte një vajzë bukuroshe deri sa shpërfytyrohet si pasojë e një aksidenti automobilistik kur makina e saj del nga rruga pasi e ngiste e dehur dhe nën efektin e drogës. I nënshtrohet disa herë operacioneve estetike në fytyrë. Chayenit paratë nuk i mungojnë, por nëse më parë ishte e pasigurt për veten, pas aksidentit bëhet dhe më shumë. Christian e adhuronte të motrën, pavarësisht karakterit të saj të paqëndrueshëm. Jeta e saj ishte e mbushur me turbullira dhe sherre, edhe pas largimit nga Tahiti kur vendosi të jetojë me të atin në LA, me të cilin grindej vazhdimisht.
Por Chayene ka një histori dashurie me një mikun e saj të fëmijërisë, me të cilin mbetet edhe shtatzënë. Ai quhet Dag Drollet, mashkull i gjatë, brun i cili si për koinçidencë kishte një hije si vetë Marlon Brando. Shumë madje në atë periudhë mendonin se ata ishin motër e vëlla, nga ngjashmëria e djalit. Por jo, ajo shkoi zgjodhi dikë që i shëmbëllente të atin në portret, sidomos kur buzëqeshte.
Dag qëndron gjatë me Chayene dhe e ndihmon atë të heqë dorë nga droga, alkooli depresioni dhe skizofrenia. Probleme që nuk e bënin të lehtë bashkëjetesën ndërmjet tyre. Madje edhe vetë Marlon Brando i kishte kërkuar të ndahej nga e bija, megjithë problemet që ajo kishte. Por dashuria mes tyre ishte e fortë dhe ata rikthehen bashkë. Chayene jeton në qytete, ndërsa ai në vilën e vjehrit aktor. Në 17 maj të vitit 1990, Christian dhe Chayene motër e vëlla, dalin për darkë në MusoFrends Grill, një restorant në Los Angelos dhe atë natë pinë shumë. Të dy duken të paqëndrueshëm emocionalisht dhe Christian është duke dëgjuar të motrën që i ankohet për Dag, se i dashuri e kishte përdhunuar dhe rrahur. E torturon psikologjikisht dhe fizikisht… Kjo vëllait nuk i pëlqen dhe kur Christian kthehet në shtëpi, nuk e heq mendjen nga rrëfimi i së motres. Merr pistoletën hyn në dhomën ku qëndronte Dag Drollet dhe e qëllon.
Lajmi përfundon në të gjitha gazetat dhe televizionet e kohës dhe proçesi gjyqësor që pason shndërrohet në një nga ngjarjet më me bujë të atij viti. Pasi Christian hyn në burg për të mos u larguar nga SHBA, gjykata vendos si masë finananciare, pra garanci, shumën prej 10 milionë dollarësh. Shumë e madhe kjo, madje edhe për një aktor të madh e të pasur si Marlon Brando. Dhe për të mbrojtur të birin Christian, Marlon angazhon avokatin William Kanstler.
Nuk diskutohej që Kristian ishte vrasësi i Dag, kunatit në shtëpinë e të atit aktor. Por as prova se kunati viktimë të kishte rrahur vajzën e familjes Brando. Dëshmitë e mëvonshme treguan se historia e asaj nate e treguar nga Chayene ishte një mashtrim. Ajo sajoi dhe i tregoi e dehur të vëllait të saj ngjarje të pavërteta, për një arsye krejt tjetër dhe shumë larg asaj që pretendonte.
Hetuesit dhe avokatët më pas u perpoqën te kuptonin ekzaktësisht çfarë kishte ndodhur atë natë. Christian në gjyq doli me variantin e vetëmbrojtjes. Ishin zënë dhe Dug ishte agresiv në sjellje duke u kapur me duar plumbi kishte dalë nga pistoleta dhe qëlloi Drollan. Por sipas prokurorëve e vërteta kishte qenë ndryshe. Dug ishte qëlluar direkt pas koke, pa hezitim. Madje këtë e konfirmuan edhe mjekët e ambulancës të cilët thanë se gjetën viktimën me cigare në njërën dorë dhe telekomandën në dorën tjetër. Pra një vrasje pas shpine e qartë, e jo një aksident. Madje e klasifikuar vrasje e shkallës së parë. Por prokurorisë i mungon deponimi i motrës së vrasësit, të dashurës së viktimës, Chayene. Për atë që ajo i tregoi të vellait atë mbrëmje dhe mënyren se si ia tha, si zanafilla e krimit në vilën e Marlon Brando. Por ajo nuk gjendet sepse babai aktor e zhduk nga vendngjarja fill. Marlon u akuza më pas se duke hipur direkt në një charter personal të bijën, pengoi hetimet. Fluturimi ishte për në Tahiti, me qëllim që e bija mos të kthehej më në SHBA. Gjyqi nuk ishte i thjeshtë. Madje edhe të merrej vendimi për 17 vite burg që kërkoi prokuroria.
Marlon Brano është i pasur dhe i fuqishëm dhe këtu pastaj është ana e errët ajo e panjohur në publik, ajo që askush nuk ia njeh… Por edhe tentativa e një babai që duke ndikuar direkt në sistem, avokatë, prokurorë, “FBI”, lobistë në politikë, të mbyllte sa më shpejt krimin në fjalë.
Avokatët po aq të fuqishëm, filluan të deklaronin më pas që ky proces, nuk ishte i të birit, por i aktorit baba që po tentonte më çdo kusht të nxirrte të birin nga situata. Por pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve dhe influencës, ndikimit dhe në disa raste u dyshua edhe për futje të miqve politikanë në çështje, nuk shkon ashtu siç Marlon Brando tentoi. I biri Christian dënohet, jo me 17 por me 10 vite burg. Por edhe pasi del jeta e tij nuk është e qetë. Ai martohet me një vajzë që quhet Deborah, e cila pretendonte në LA se ishte e bija ilegale e Elvis Presleyt, por edhe ajo e denoncon se Christian Brano e kishte rrahur dhe tentuar ta vriste, e për këtë djali problematik bën edhe 3 vite të tjera burg.
Christian vdes nga ftohja polmonare në janar të vitit 2008 në moshën 49-vjeçare. Në kohën kur ishte në burg atij i erdhi dhe një tjetër lajm i hidhur. Siç ishte jeta e vështire për të si fëmija i Marlon Brando, ashtu ishte edhe për të motrën. Të dy të lënë pas dore dhe të rritur pa vemëndje. Chayene pasi mbërriti në Tahiti, lindi fëmijën që priste nga Dug. Tentoi disa herë vetëvrasjen me overdozë ilaçesh, por ia arriti t’i jepte fund duke u vetëvarur me litar në shtëpinë e së ëmës.
Shkëlqimi, fama, adhurimi për Marlon Brano ishin dhe mbetën në botë. Por vetëm ai e di se sa bosh mund të jetë ndjerë kur jeta e një familjeje të shkatërruar, totalisht, problematike, ka qëndruar aty me të, edhe paralelisht kur fama i ecte në të njëtën korsi me problemet që Padrino kishte brenda çatisë së shtëpisë së tij…