HistoGri

HistoGri – Nelson Mandela, i vetëm kundër të gjithëve…

Në botë ka shumë histori të cilat shërbejnë për të njohur realitetin në kohë të ndryshme. Atë realitet i cili ndryshon në pjesë të ndryshme të globit. Histori të cilat kanë shërbyer për frymëzim, revolucion, ndryshime të mëdha në botë. E tillë është edhe ajo që frymezoi edhe shumë artistë që të shkruanin muzikë, regjisorë të bënin filma, shkrimtarë të rrëfenin mbi të. Kjo është historia e një legjende mbi rezistencën dhe simbolin e saj. Kjo është historia e Nelson Mandelës…

Kur mendon se si simbolika e Mandelës i është veshur shumë e shumë të burgosurve politikë në Shqipëri, kupton se po të kishte jehonë në botë e më gjerë, histori si ajo e At Zef Pllumit, do ishin ‘tregue’ më shumë e më fort, por kjo është për ata që rrojnë këto kohë gjeneratash…për mos ‘me harru’…

Historia e jetës së Nelson Mandelës nuk është ajo e një njeriu të thjeshtë. Madje nuk është as historia e një vendi të madh që quhet Afrika e Jugut. Ajo është shumë më shumë. Është historia e betejës së jashtëzakonshme dhe të gjatë në kohë kundër racizmit për të drejtat e njeriut, që pasoi me trasnformimin politik të Afrikës, si fushëbeteja për këto ndryshime radikale. Dhe për ta treguar historinë e Mandelës, zanafilla nis tek një personazh që quhet Steven Biko. Saktësisht, Steven Bantu Biko, siç kërkonin ligjet rraciale në Afrikë, ku çdokush që ishte me ngjyrë duhej të vendoste mes emrit dhe mbiemrit edhe etninë të cilës i përkiste, sepse dallimi rracial shtrihej në të gjithë shoqërinë dhe ndasitë bëheshin me përcaktime Bantu, Boshi-Bane, por edhe Indian, Kinez apo i Bardhë.

Steven Biko ishte një aktivist i fortë politik. Biko ka nje slogan. “Black is Beautiful”.  E zeza është e bukur.

Sepse në Afrikën e Jugut të viteve 70’, e cila përjeton Aparteidin me të rëndë, mes përpjekjesh të mëdha, se nuk duhet të peshojë shumë ngjyra e lëkures, e zezë apo e bardhë, rëndësi ka aspekti njerëzor. Por realiteti nuk është i tillë. Aparteidi provonte të kundërtën, ndasinë midis të bardhëve dhe të zinjve, që nga vendet e punës, ulëset në autobus apo trena, vendet në klube dhe restorante, punët për t’u bërë, shtëpitë ku jetonin, etj.

E duke qenë se këto vende dhe mundësi për të bardhët ishin më të mira, edhe peshorja rraciale anonte nga ata. Dhe në këtë situatë shtypëse, Biko formon një parti.

Por në kontekstin e Afrikës së atyre viteve, Steven Biko, një lëkurëzi mes shumë të tjerëve nuk mund të bënte atë që donte, sidomos në politikë, ndaj vendoset nën presion dhe forma të tjera shtrënguese për të hequr dorë. Lëvizja e tij politike mund të shtrihej vetëm në disa zona të caktuara. Ajo që ai propagandonte nuk duhej të citohej as nga gazetat, madje idetë e tij politike nuk mund t’i masivizonte por duhej t’i shpërndante tek për tek. E vështirë të bëhej politikë në këtë formë. Por Biko sidoqoftë nuk tërhiqej. Dhe në këtë rast qeveria ndërhynte siç bënte me cilindo zezak kokëfortë e të pabindur duke e arrestuar menjëherë. Ai bie në duart e strukturave të sigurimit të vendit, të cilët e fusin në birucën 619. Pasi e prangosën, e lidhin pas hekurave të qelisë dhe për ditë me rradhë e mbajtën të lidhur fort duke e goditur me shkopinj dhe mjete të rënda.

Por nga dhuna Bikos i përkeqësohet situata shëndetësore, ndaj sigurimi afrikan e hipën në bagazhin e një Land Roveri dhe e çojnë në spital. Ky i fundit gjendej larg. 1500 km rrugë. Mund ta linin edhe në një spital më të afërt. Por qëllimi ishte që të vdiste rrugës. Pas goditjeve të forta që mori në kokë nga dhuna e policisë, i gjori Biko vdiq rrugës në 12 Shtator 1977. Por vdekja e tij nuk kalon pa u vënë re… Lajmi përfundon në radio e shtyp, sidomos ato të huaja që nisin të pyesin dhe kërkojnë se çfarë po ndodh me Aparteidin në Afrikë.

Në botë është një organizim civil dhe muzikor që quhet “Global Citizen”. Artistët më të mirë të botës kanë kënduar apo marrë pjesë në këto koncerte që zanafillën e kanë nga Madela, liria dhe barazia në botë…

Vdekja e Biko në mënyrë çnjerëzore, frymëzoi Steve Wonder, Yosun D’our, Public Enemy apo Peter Gabriel për t’i dedikuar kënge. Ky i fundit kompozoi edhe këngën me emrin “Biko”.

Por edhe Nelson Mandela ishte një aktivist politik që në rininë e tij, nuk pranonte imponimin, qoftë edhe të regjimit politik ku po rritej, presionin që po ushtrohej nga policia, qeveria dhe ushtria. Ishte një i ri i pavarur dhe i lirë dhe që mendonte me kokën e tij e që përcaktonte atë që donte të kishte në jetë… Gruan për shembull. Sepse tradita e donte që për ata që vinin nga shtresa e mesme e shoqërisë si ai, edhe bashkëshorten ta zgjidhte brenda serës.

Por Nelson insistoi që dashurinë e tij ta gjente vetë dhe ndaj largohet, braktis katundin e familjes dhe shkon në Johanesburg, ku përfundoi në kohë rekord studimet për drejtësi dhe ligje. Në XhoBurg, siç thirret konkretisht Johanesburgu, situata nuk ishte më e mirë se në fshatin ku ai jetonte. Atje rregullat ja percaktonte tradita e zonës, ndersa aty ku u zhvendos, Mandelës rregullat ja percaktonte qeveria dhe pushteti. Të bardhët, pra “White Africans”, qeverisnin vendin në partinë kombëtare.

Sapo kishte përfunduar edhe Lufta e Dytë Botërore. Afrikanët e bardhë luftuan krah britanikëve dhe tashmë vendi ishte në duart e tyre…Ishin ata që sipas ligjeve merreshin me Aparteidin. Por Nelsonit e gjitha kjo nuk i pëlqente. Ai ishte një i ri shumë inteligjent dhe brilant, por mbi të gjitha kishte një shembull, pikë referimi që përpiqej ta ndiqte. Ajo e një avokati indian që u përkushtua të çlironte vendin nga një koloni britanike, ndarë në fraksione, etni dhe fe, në një komb të bashkuar dhe të pavarur. Pa derdhur gjak e pa vrarë njerëz. Nje koncept shumë ideal i quajtur jo dhunës. Avokati indian që frymëzonte Mandelën ishte Ghandi.

Por kur kërkon të ruash qetësinë dhe ai që ke përballë nuk e bën këtë, madje është i egër dhe i dhunshëm, Mandelës së ri nuk i mbetej gjë tjetër vetëm se të duronte. Kështu nis të heqë vetë në kurriz forcën dhe burgun.

Në vitin 1956 e fusin brenda së bashku me 150 aktivistë të partisë së tij “Afrikan National Congres”. Ka raste që durimi i soset Mandelës, sidomos në vitin 1970 kur policia nis të qëllojë mbi protestues në Sharpville, të cilët kundërshtonin një ligj, që për të qendruar në zonat ku jetonin të bardhët, duhet të kishin lejekalimi dhe kjo sepse ata ishin të zinj.

7 mijë protestues shkojnë përpara stacionit policor në Sharpville dhe nisin revoltën. Duke qenë se turma ishte shumë rezistente, policia hap zjarr dhe vret 72 prej tyre. Dhe në këto kushte, pavarësisht idealeve të marra nga Ghandi, Mandela vendoset në krye të krahut ushtarak të partisë, ku fillon një sërë aktesh sabotuese ndaj godinave qeveritare dhe bazave ushtarake në vend. Madje qëndron në klandestinitet për një farë kohe, deri ne vitin 1962, vit në të cilin arrestohet. Akuzat për të ishin bërë mal, sabotazh, tradhti, revolta dhe deri tek akuzat tentativë për pushtimin e vendit nga ana e një fuqie të huaj.

Nelson Mandela u dënua me burgim të përjetshëm në Roben Island. Roben Island është një ishull shkëmbor në Afrikën e Jugut, 12 km larg Cape Town. Një fortesë e përshtatur herët në Afrikë si burg i izoluar. Kjo sepse aty mund të dërgoheshin të burgosur që aty mund të harroheshin në qeli e të liheshin aty deri në vdekje.

Në Roben Island, Mandela qëndron 19 vjet, deri në shkurt të 1990. Por nuk ishin aspak të qeta vitet e para. E kishin futur brenda një burgu të vështirë që kishte jo vetëm afrikanë po edhe kriminelë të rrezikshëm. Ditët e tmerrit në burg, Mandela i ka rrëfyer edhe në librin e tij, “Rruga e vështire drejt Lirisë”.

Por edhe pse brenda, Mandela bën politikë, aq sa burgu i Roben Island quhet edhe Universiteti i Mandelës. Kjo sepse shumë pjesëtarë të partisë së tij, futeshin në burg të rinj dhe me pas dilnin të formuar ideologjikisht. Mandelën e transferojnë nëpër burgje të tjera për vite me rradhë. Në disa raste i ofruan edhe lirinë me kushte, nëse do dilte publikisht dhe do të dënonte shumë nga protestat në vend për të drejtat e njeriut. Megjithatë ai rrefuzon…Pra Nelson Mandela ishte njëkohesisht edhe në burg edhe jashtë tij.

Sepse në ato vite krijohet edhe lëvizja kombëtare e protestave, për atë çfarë po ndodhte në Afrikën e Jugut dhe për atë se çfarë po i ndodhte Nelson Mandelës. Kjo lëvizje përfshiu politikanë, shkrimtarë, gazetarë, njerëz të thjeshtë, opinion publik por edhe muzikantë…shumë muzikantë. “Lironi Nelson”, “Free Mandela” u shndërrua në temën kyçe të krijimeve muzikore në botë dhe kur muzika është ‘rock’, natyrisht qëllimet e saj denonuese dhe agresive vunë opinionin përpara.

Kushtet ku ishte burgosur, imazhi dhe liria e Mandelës u shndërruan në tema kryesore të koncerteve të Carlos Santana, në këngët e Tray Chapman apo albumin “Nelson” të Yosun d’Our. Revolta artistike nuk prekte vetëm Mandelën por denonconte të gjithë politikën e Aparteidit që vendoste kufizime, nga politika tek ekonomia. Apo që përjashtonte skuadrat Afrikano Jugore nga garat ndërkombëtare të sporteve. Dhe e gjithë kjo revoltë përfundon në muzikë. Ata u mblodhën të gjithë në kompleksin SunCity, ku krijuan projektin “Artistët e Bashkuar kundër Aparteidit”, ku u bënë bashkë Bono Vox, Bruce Springsten apo Run DMC..pra muzika gjithmonë lëshonte mesazhe për lirimin e tij.

Në 11 Shtator të 1988, Mandela mbushi 70 vjeç, ishte akoma në burg në ishull kur të gjithë e donin jashtë, veç qeverisë Afrikano Jugore. Në vend lindi ideja t’i organizonin ditëlindjen. Pra, t’i bënin një festë të madhe sikur ai të ishte mes tyre. E meqënëse ideja lind mes një grupi muzikantësh, festa shndërrohet në një koncert të madh. E quajtën “Mandela Day” dhe mbahej në stadiumin e Wembleyt në Londër. Manifestim gjigand që bashkoi 777 vende dhe që u ndoq nga 600 milionë shikues nga televizori. Ata që i bënë bashkë të gjithë, ishin dy persona të veçantë. Tony Hollingsëorth dhe këngëtari Jerry Damers. U2 realizojnë edhe një këngë për rastin dhe me pas vjen edhe rekomandimi i Mandelës që koncerti të mos flasë vetëm për të, por për të gjithë të burgosurit politikë në Afrikën e Jugut. Bashkohen Dire Straits, Whitney Huston, George Michael dhe U2 dhe ai aktivitet u shndërrua si një Woodstock…

Ishte muzika që sensibilizoi të gjithe botën. Ishte ajo që ndryshoi fatin e një kombi në shtypje. Ishte muzika që solli të nesërmen.