Bota

Izraeli do të rihapë një pikëkalim në Gazën veriore, shpresa për ndihma!

Izraeli thotë se po ndërmerr hapa për të rritur fluksin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke përfshirë rihapjen e një pikëkalimi të rëndësishëm në Gazën veriore, të goditur rëndë nga lufta. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu i njoftoi planet sot në mëngjes, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden i tha atij se “mbështetja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën në Gaza varet nga ndërmarrja e më shumë veprimeve nga Izraeli, për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave humanitare”.

Kjo rritje e ndihmave do të frenonte një krizë humanitare dhe është e nevojshme për të siguruar vazhdimin e luftimeve e gjithashtu arritjen e objektivave të luftës, njoftoi zyra e kryeministrit Netanyahu.

Njoftimi nuk dha hollësi mbi sasitë apo llojet e artikujve që do të hynin në Rripin e Gazës përmes pikëkalimit në Erez.

Megjithatë, pavarësisht dallimeve të tyre, administrata e presidentit Biden ka vazhduar t’i ofrojë Izraelit ndihmë të rëndësishme ushtarake dhe mbështetje diplomatike për luftën gjashtëmujore të Izraelit kundër Hamasit. Izraeli përballet me izolim ndërkombëtar në rritje pasi ushtria izraelite vrau shtatë punonjës humanitarë, që po ndihmonin në dërgimin e ushqimeve në Gaza.

Numri i të vrarëve palestinezë arriti në mbi 33 mijë një ditë më parë, ndërsa i të plagosurve në mbi 75 mijë e 600, siç tha Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës. Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, nuk bën dallime mes civilëve e luftëtarëve në raportet e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e viktimave.

OKB-ja thotë se shumica e popullsisë në Gazën veriore është në prag të urisë. Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamas hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 vetë. Izraeli planifikon të ndryshojë taktikat e luftës në Gaza pas vrasjes së punonjësve humanitarë

Izraeli tha dje se do të bëjë ndryshime në taktikat e luftës në Gaza pas vrasjes së shtatë punonjësve të ndihmave në një sulm ajror, që ushtria izraelite e pranoi se ishte një gabim i madh dhe se përfundimet e hetimit do të bëhen publike së shpejti.