Aktualitet

Kakavijë, sekuestrohen rreth 25 mijë euro të padeklaruara!

Një 26-vjeçar u kap në pikëkalimin e Kakavijës, pasi tentoi të dalë nga Shqipëria me rreth 25 mijë euro të padeklaruara. U sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori. Për të riun nga Dropulli, nisi procedimi në gjendje të lirë për “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Policia Kufitare në Kakavijë ka goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave. Si rezultat u sekuestruan 24 800 euro dhe është proceduar penalisht 26-vjeçari që nuk i deklaroi në dalje të Republikës së Shqipërisë.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavijë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi S. T., në çantën e të cilit u gjetën 24 800 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.