Aktualitet

Sekuestrohen rreth 19 mijë euro të padeklaruara në Portin e Durrësit!

Policia Kufitare e Portit të Durrësit, bazuar në inteligjencën policore e po ashtu, si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e saj, njofton se ka goditur tre raste të paligjshmërive në kufi e është kapur edhe një shtetas që ishte shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes. 32-vjeçarit nga Korça, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Policia ia kaloi materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit njofton se janë proceduar penalisht tre shtetas për mosdeklarim i të hollave në kufi ku janë sekuestruar 18 900 euro; për kontrabandë të mallrave për të cilat paguhet akcizë, duke sekuestruar 80 litra vaj dhe dhjetëra shishe me verë; një rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false, ku është sekuestruar një pasaportë, si dhe një kartë ID.

Gjithashtu, Policia njofton se u kap dhe u vu në pranga një shtetas në kërkim, i akuzuar për vjedhje.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi e bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur tre raste të paligjshmërive në kufi. Për këto raste, DVKM Durrës referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

– M. S., 60 vjeç, shtetas nga Maqedonia e Veriut, pasi gjatë kontrollit në hyrje, i janë gjetur 18 900 euro, që nuk i kishte deklaruar në kufi;

– R. K., 54 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën 80 litra vaj dhe dhjetëra shishe me verë, pa faturat përkatëse;

– U.N., 29 vjeç, banues në Kosovë, pasi në dalje, ka paraqitur në sportel, pasaportë dhe kartë ID me të dhënat e një shtetasi tjetër kosovar.

Gjithashtu, u kap dhe u ndalua shtetasi me iniciale S.G., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.

Policia ia kaloi materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.