Aktualitet

Komisioni për Inceneratorët, dëshmia e Ramës/51 pyetje për kryeministrin!

Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët po jep dëshminë kryeministri Rama, si dëshmitar i radhës dhe i fundit. Kryetarja demokrate e Komisionit, Jorida Tabaku, bëri të ditur se 51 pyetje do t’i drejtohen kryeministrit Rama si dëshmitar.

Në nisje, shefi i Qeverisë bëri këtë deklaratë:

Në ligjin për komisione hetimore që kam lexuar, komisioni nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatës. Në asnjë rast, nuk mund të ofendojë personat e thirrur për të dëshmuar. Kjo është përsëritur shumë shpesh. Unë këtu kam ardhur si dëshmitar dhe do t’ju sugjeroj që të mos eksportoni këtu debatin parlamentar apo debatin televiziv. Mendoj se ky komision është shumë i rëndësishëm. Unë i kam  dhënë mbështetjen e plotë dhe jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Nëse doni që të jem kështu deri në fund respektoni punën e këtij komisioni!

Tabaku deklaroi:

Eshtë në interesin e këtij komisioni që të zbardhet e vërteta dhe unë jam e sigurt që ju nuk do të silleni si dëshmitarët e tjerë.

Tabaku: A është Alqi Bllako, i cili përmes babait të tij, ka përfituar rreth 150 mijë dollarë, një pronar përfitues për këtë koncesion?

Rama: Ju sapo shkelët ligjin! Ju nuk keni faktuar asgjë në këtë komision, ju keni krijuar një opinion tuajin, të cilin mbajeni për vete!

Tabaku: A është Arben Ahmetaj një mik i afërt me 3 përfituesit e inceneratorëve, një nga pronarët përfitues?

Rama: E di që Big Brother ka krijuar një audiencë shumë të madhe, por se kush është miku i kujt se kush fle me kë, se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat kushtetuese të rolit të kryeministrit. Si kryeministër kjo është jashtë kompetencave të mia që të informohem dhe të studioj miqësitë e secilit prej jush. Si dëshmitar, mendoj se sërish po shkelni ligjin. Si zoti Rama jam i painteresuar se çfarë bëjnë të tjerët dhe kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj në jetën private.

Tabaku: Në tre progres-raportet e fundit, Bashkimi Europian është shprehur me shqetësim për çështjen e inceneratorëve. A jeni në dijeni?

Rama: Këtu ishit e saktë! Thatë që BE është shprehur kundër, tani thatë atë që në të vërtetë ka thënë BE-ja. Ka shprehur shqetësim sepse nuk është zgjedhja më e preferuar. Por çfarë do të thotë? BE flet për nivelin shumë të ulët të ndarjes në burim të mbetjeve, flet për nivelin shumë të ulët të riciklimit sepse këto janë preferencat e BE-së. Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorët, kemi ndërtuar impiante të përpunimit të mbetjeve për prodhimin e energjisë. Incenerimi është pjesë e këtij procesi, por komponenti i parafundit. Inceneratorët janë impiante të viteve ‘70-80 që e digjnin komplet produktin dhe nuk prodhonin energji. E vërtetë që nuk është zgjedhje e preferuar e BE sepse riciklon dhe ndan në burime, por ndërkohë edhe në vendet me standarde më të larta mjedisore, impiantet e përpunimit të mbetjeve janë aty e vazhdojnë të ndërtohen.

Kryetarja e komisionit drejtoi të njëjtën pyetje edhe për ish-ministrin Gjiknuri, nëse është ai një pronar përfitues?

Më keni bërë pyetje sikur jemi mbledhur këtu për thashetheme. Këto nuk janë temë e këtij komisioni hetimor, në këndvështrimin tim. Doni të përqendroheni tek çështje, jo tek ‘afera’ që është çështje juaj? Mund ta përsëritni kudo përveçse përballë meje si dëshmitar. Afera është opinion.

Më herët në një postim, Rama solli në vëmendje situatën aktuale, duke vënë në dukje se përmes impianteve moderne të përpunimit, shëruan përfundimisht ato që i cilësoi “gangrenat e fushëkodërplehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës”. Për dëshminë në mesditë, shprehej se e pret me padurim. Ky komision hetimor ka nisur punë më 28 tetor 2021, me kërkesë të deputetëve të opozitës.