Aktualitet

Kontrolle antikanabis në Krujë, asgjësohen 224 fidanë kanabis/Dy në kërkim!

Kontrolle antikanabis nga toka e ajri janë duke u ndërmarrë në zonën e Krujës. Në aksion janë përfshirë 50 forca policie të Komisariatit atje, si dhe forcat operacionale të Durrësit e katër dronë. Falë këtyre mjeteve, në një pjesë të pyllëzuar në njësinë administrative Cudhi, në fshatin me të njëjtin emër u asgjësuan 224 fidanë kanabis të kultivuar në kubikë. Njëri prej personave përgjegjës u identifikua dhe u shpall në kërkim. Vijon puna për identifikimin e shtetasit tjetër. Në njoftimin zyrtar thuhet se operacioni policor është në vijim.

Njoftimi i Policisë Krujë:

Kontrolle intensive nga toka dhe ajri në zonën e Krujës, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Në kontrolle, 50 forca policore të Komisariatit të Policisë Krujë, forcat operacionale të DVP Durrës dhe 4 dronë.

Shërbimet e Policisë, nëpërmjet dronëve, kanë evidentuar në një zonë të pyllëzuar të njësisë administrative Cudhi, në territorin e pyllëzuar të fshatit Cudhi, dy shtetas në tentativë për të hedhur në tokë, fidanët kanabis që kishin të kultivuar në kubikë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe informacioneve të marra, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e njërit prej autorëve, konkretisht shtetasit L. M., 35 vjeç, banues në fshatin Cudhi. Vijon puna për identifikimin e shtetasit tjetër dhe për kapjen e tyre.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë ndjekjen në zonën e pyllëzuar, për kapjen dhe vënien e tyre në pranga. Operacioni vijon.