Rajoni

Kosova i kërkon Bashkimit Europian heqjen e masave “të padrejta”!

Qeveria e Kosovës, sot i bëri thirrje Bashkimit Europian që t’i heqë masat e “padrejta” ndëshkuese duke theksuar se tani e ka përmbushur detyrimin e kërkuar nga Blloku për shtensionimin e situatës në veriun me shumicë serbe.

Me përfundimin e procesit zgjedhor të djeshëm, në të cilin u votua nëse duhen shkarkuar kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore, Kosova e ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Europian. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës, përfundimisht të largohen.

BE-ja i vuri masa ndëshkuese verën e kaluar, me arsyetimin se Kosova nuk bëri mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri, në maj 2023. Serbët patën protestuar kundër kryetarëve të rinj në Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok e për pasojë, situata përshkallëzoi në dhunë.

Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR u plagosën rëndë. Të plagosur kishte dhe nga ana e protestuesve. Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se dështoi nisma për shkarkimin e kryetarëve në Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok, pasi vetëm 253 persona nga 46 mijë e 556 qytetarë votuan.

Që procesi të ishte i suksesshëm, duhej të votonin 50% plus 1 votues. Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre. Qeveria tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe “falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore”.

Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.

Nisma për largimin ose jo të kryetarëve u organizua pasi bashkësia ndërkombëtare kërkoi largimin e kryetarëve shqiptarë, të zgjedhur në prill 2023. Votimet u organizuan pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës. Edhe dje, Lista Serbe e bojkotoi procesin zgjedhor. Blloku europian ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimet 21 prillit edhe pse paraprakisht shprehej pozitivisht.