Aktualitet

Krim i rëndë në Elbasan, vret bashkëjetuesen, shpallet në kërkim!

Një krim i rëndë brenda mureve të një shtëpie u regjistrua sot në Elbasan. Në lagjen “Skënderbej” të qytetit, Ramis Mici 37-vjeç është autori i dyshuar së vrasjes së shtetases Jetmira Elezi, po 37-vjeçe, me të cilën bashkëjetonte. Paraprakisht, raportohet se Elezi u godit disa herë me thikë dhe ndërroi jetë në spital, ku fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve të shumta.

Ata bashkëjetonin prej 6 vitesh në një banesë me qira e viktima ishte nga Belshi. Që të dy ishin të papunë në shumicën e kohës. Për vrasjen, policia u njoftua nga fqinjët e çiftit. Po ashtu, mësohet se 37-vjeçares i ishte dhënë urdhër-mbrojtjeje.

Uniformat blu janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar dhe po vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e sqarimin e rrethanave të krimit të rëndë, me pasojë vdekjen e një gruaje. Për momentin nuk jepen detaje rreth ngjarjes tronditëse në Elbasan.

Njoftimi zyrtar:

Elbasan / Informacion paraprak

Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Skenderbej”, Elbasan dyshohet se shtetasi R.M., 37 vjeç , ka goditur me mjet prerës ( thikë), bashkëjetuesen e tij shtetasen Jetmira Elezi, 37 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.