Aktualitet

“Tempulli” në Lezhë, në pranga 5 persona/Përfshirje në fushën e narkotikëve!

Në Lezhë janë goditur tre raste të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, ku u arrestuan 5 shtetas.

Si rezultat i punës së vazhdueshme policore dhe hetimore që po kryhet në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Tempulli 2”, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin të bimëve narkotike, si dhe të rasteve të shitjes në sasi dhe/ose doza të lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, të mbështetur nga informacionet nga inteligjenca policore, goditën 3 raste në këto fusha.

Pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shkodrës dhe koordinimit të punës me të, u arrestuan në flagrancë, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. C., 36 vjeç, Gj. I., 34 vjeç dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga kontrollet fizike dhe në banesa, këtyre shtetasve iu gjetën 2450 fara cannabisi, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një grirëse për lëndën narkotike dhe 3 celularë.

Në bashkëpunim me specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Lezhë, arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrolli fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave. U arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” është vënë në pranga 23-vjeçari me iniciale E.Q. nga Elbasani, i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje droge.  Policia njofton se si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e policisë kufitare të portit të Durrësit, i riu është kapur në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar 23-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.