Aktualitet

Kryeministri Rama rikujton sanksionet për kryebashkiakët që nuk garantojnë pastërtinë!

Plani i Veprimit për pastrimin e territorit të Shqipërisë, nisi sot nga Pylli i Sodës në Vlorë, ku pjesë e aksionit u bë edhe kryeministri Rama. Sërish, Rama adresoi kritika dhe paralajmërime për kryebashkiakët, sidomos të bashkive në zonat bregdetare. Shefi i qeverisë kërcënoi me sanksione për ata që nuk garantojnë pastërtinë, apo nëse krijojnë vendgrumbullime të paligjshme të mbeturinave.

Fillimisht do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta dhe më pas do të parandalojmë që të mos rikrijohen. Nuk është hera e parë që ne bëjmë aktivitete të tilla. Eshtë koha jo vetëm të ndahen por edhe të kërkohen nga secili, nga çdo institucion e çdo individ. Jemi në rrugën e zbatimit, asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër, nëse nuk garanton të gjitha burime financiare, të nevojshme për pastrimin dhe nëse nuk garanton që ato burime, të përkthehen në rezultate konkrete.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë sa i kushton pastrimi çdo bashkie e në bazë të kësaj do të parashikohet edhe buxheti pasardhës i bashkive.

Çdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për grumbullimin e mbetjeve dhe është e patolerueshme që plehrat të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve, qoftë edhe në landfille. Asnjë bashki nuk do të lejohet që për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë ato në pikën fundore, të krijojë pika të tjera të paligjshme grumbullimi. Për këtë, ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe vetë bashkitë.  Pika më e nxehtë është edhe pika më e rëndësishme për turizmin e ekonominë tonë sot. Eshtë e patolerushme që kryetarët e bashkive bregdetare, ta konsiderojnë këtë si punë angari. Pastrimi duhet të jetë në maksimum!

Rama kritikoi Bashkinë Vlorë që drejtohet nga Dritan Leli, duke e cilësuar këtë institucion, “shembull të keq të abuzimit me mjedisin”.