Rajoni

Kush e do BRICS-in në Serbi para BE-së?

BRICS-i para Bashkimit Europian, një propozim i bërë nga një pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi. Dy deputetë të Lëvizjes Socialiste paraqitën në Parlament draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

Grupi BRICS përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës së Jugut, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në draft-rezolutë thuhet se anëtarësimi i Serbisë në atë grup duhet të jetë një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike dhe kombëtare. Një nga propozuesit e këtij dokumenti, deputeti Gjorgje Komllenski tha për Radion Evropa e Lirë se motivi kryesor është se këta deputetë besojnë se BE-ja nuk është alternativa e vetme për Serbinë.

Propozimi u bë nga partia, kryetar i së cilës deri vonë ishte Aleksander Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA). Për shkak të zgjedhjes në krye të BIA-s, Vulin e ngriu pozicionin e tij në parti në fund të nëntorit të kaluar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën Vulinin në listën e sanksioneve, për shkak të dyshimeve për korrupsion e përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Draft-rezoluta serbe për anëtarësimin në BRICS erdhi pak ditë pas samitit të këtij grupi, i cili u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në fund të gushtit.

Në këtë samit, ftesë për t’iu bashkuar grupit morën gjashtë vende: Arabia Saudite, Irani, Etiopia, Egjipti, Argjentina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS thuhet se “e ashtuquajtura rrugë europiane e Serbisë ka një alternativë në BRICS” dhe e përshkruan atë si “procesin më aktual integrues ekonomiko-politik”.

Ne e mbështesim një rend botëror që do t’i kufizonte dekadat e hegjemonisë perëndimore.

Më tej nënvizohet se politika e jashtme e “Perëndimit kolektiv është shpesh në konflikt me interesat jetike, shtetërore dhe kombëtare” të Serbisë. Sipas draft-rezolutës, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BRICS duhet ta marrin qytetarët nëpërmjet referendumit.