Rajoni

Ligjvënës europianë e amerikanë kërkojnë ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës e Serbisë!

Dhjetëra politikanë nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian e Uashingtonit, duke kërkuar të ndryshohet qëndrimi në raport me Kosovën e Serbinë.

Deputetja britanike, Alicia Kearns publikoi letrën dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly. Aty janë firmat e 10 kryetarëve të komiteteve për Punët e Jashtme e 56 deputetëve.

Duke adresuar tensionet e fundit në veri të Kosovës, kërkohet “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën e Serbinë”.

Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen, për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it, vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve.

Qëndrimi aktual nuk po funksionon. Nga komuniteti ndërkombëtar, ne kërkojmë që të mësojë nga e kaluara jonë e të sigurohemi që nuk do të miratojmë politika për Ballkanin, që anojnë nga Beogradi. Po ashtu, kërkojmë të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë e proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret dhe që ata, të cilët respektojnë sundimin e ligjit e demokracinë, të mos ndëshkohen.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri, BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, Prishtina ra dakord me Unionin në një plan për shtensionimin e situatës e që përfshin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Prishtina ka thënë se zgjedhjet në veri duhet të përgatiten, që të mos ketë sërish bojkot si në zgjedhjet e 23 prillit.

Në këto zgjedhje, serbët lokalë dhe partitë e serbëve të Kosovës nuk morën pjesë.