Bota

Lindja e Mesme, të paktën 14 palestinezë të vrarë nga Izraeli në Bregun Perëndimor!

Forcat izraelite vranë të paktën 14 palestinezë gjatë një aksioni në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërsa shoferi i një autoambulance gjeti vdekjen teksa ndihmonte në transportimin e disa të plagosurve të sulmuar nga kolonë hebrenj, siç informuan burime pranë autoriteteve palestineze.

Prej dy ditësh, forcat ushtarake të Izraelit po vijojnë një operacion të gjerë në zonën e Nur Shamsit, në afërsi të qytetit Tulkarm e shkëmbimi i zjarrit vazhdoi edhe një ditë më parë. Po ashtu ka raportime se në Nur Shams janë parë edhe të paktën tre dronë. Pikërisht në këtë zonë strehohen refugjatë që janë pasardhës të palestinezëve që u zhvendosën nga lufta e vitit 1948, në kohën kur u krijua shteti i Izraelit.

Brigada e Tulkarmit, që përbëhet nga disa fraksione palestineze, bëri të ditur se luftëtarët e saj kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite.

Bregu Perëndimor, një territor prej rreth 100 kilometrash i gjatë dhe 50 kilometrash i gjerë, ka qenë në qendër të konfliktit izraelito-palestinez që nga periudha kur ky territor u pushtua nga Izraeli në vitin 1967, gjatë asaj që njihet si Lufta e Lindjes së Mesme.

Kohët e fundit, lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian, siç dihet ka lënë në hije dhunën në Bregun Perëndimor, aty ku ushtria izraelite rregullisht kryen operacione ndaj grupeve militante. Gjithashtu, kolonët hebrenj sulmojnë fshatrat palestineze e banorët palestinezë përleshen në rrugë me izraelitët.

Që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor të vitit të kaluar, me mijëra palestinezë janë arrestuar dhe qindra janë vrarë gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor. Autoritetet shëndetësore palestineze konfirmuan se orët e fundit u vranë të paktën 14 palestinezë në Bregun Perëndimor. Ndërkaq, ushtria izraelite tha se ka vrarë një numër militantësh e informoi se ka arrestuar disa të tjerë gjatë aksionit duke shtuar se të paktën katër ushtarë u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Izraeli nuk po kursen as Rafahun ku dje një sulm ajror izraelit në një shtëpi në këtë qytet të Gazës jugore, shkaktoi 9 të vrarë, mes tyre 6 fëmijë. Bilancin e dhanë autoritetet spitalore ndërsa Izraeli po vijon me ofensivën ushtarake në territorin e rrethuar palestinez. Lufta e shtetit hebraik kundër Hamasit ka çuar në përshkallëzim dramatik të tensioneve në një Lindje të Mesme të paqëndrueshme.