Aktualitet

Liria e shtypit, ambasadorja Kim: E rëndësishme që gazetarët të bëjnë pyetje të vështira!

Për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim priti një grup gazetarësh dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që punojnë për çështjet e medias në Shqipëri.

Ambasadorja Kim theksoi se një shtyp i lirë dhe i pavarur është thelbësor për demokracinë dhe se është e rëndësishme që gazetarët të bëjnë pyetje të vështira. Ajo i nxiti që t’i përcjellin brezit të ri të gazetarëve mësimet që kanë marrë për të qenë të fortë dhe të guximshëm.

Shpresoj se nuk do ta nënvlerësoni kurrë rëndësinë e asaj që po bëni. Shpresoj se do të vazhdoni të bëni atë që po bëni.

Pjesëmarrësit diskutuan sfidat me të cilat përballen, duke përfshirë mungesën e qasjes në informacion, pasigurinë në punë dhe mungesën e transparencës financiare nga institucionet publike e organizatat mediatike.

Shqipëria është rritur me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata Gazetarët Pa Kufij, ku përfshihen 180 shtete të botës. Në këtë mënyrë, vendi ynë radhitet i 96-ti, duke shënuar një rritje me 7 pozicione krahasuar me një vit më parë kur ishim të 103-ët. Rënien më të madhe me plot 12 vende në rajon e ka patur Serbia.

Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.

Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi dhe është fjala për Vietnamin, Kinën e Korenë e Veriut, të udhëhequr nga Kim Jong-un.

Sipas Gazetarëve pa Kufij, liria e shtypit në Europë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë që vijon prej 24 shkurtit të vitit të kaluar. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të shtetit ukrainas.