Rajoni

Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor dhe gazetaria përballë dezinformimit!

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta. Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli e propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen si vende ku gjendja e lirisë së shtypit është e “kënaqshme”. Maqedonia është përmirësuar me dy vende nga viti i kaluar, kur u rendit e 38-ta. Mali i Zi radhitet në vend të 40 nga 39 që ishte vjet. Bosnjë-Hercegovina listohet e 81-ta, 17 vende më poshtë se vitin e shkuar.

Kosovë, shtimi i tensioneve me Serbinë përkeqësoi sigurinë e gazetarëve

Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur u listua e 56-ta. Për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai i “Reporterëve pa Kufij” shprehet:

Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetëra sulme të tilla, ndërkohë që partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv “Klan Kosova”. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë.

Gazetaria përballë dezinformimit

Organizata “Reporterët pa Kufij” thotë se është shqetësues përdorimi i Inteligjencës Artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.

Shpesh, grupet politike shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit.

Në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan e Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median duke imituar metodat shtypëse të Rusisë. Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në emigracion.