Aktualitet

Luan Daci përfundimisht jashtë gjyqësorit, KPA-ja ku bënte pjesë e lë jashtë sistemit!

Shkarkohet përfundimisht nga detyra Luan Daci, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Vendimi është marrë sot nga KPA.

Natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes disiplinore klasifikohen ndër më të rëndat dhe e bëjnë të papërshtatshëm për kryerjen e detyrës së gjyqtarit të këtij institucioni. Ndaj Kolegji vendosi shkarkimin nga detyra.

Luan Daci, edhe pse kishte një vendim të drejtësisë shqiptare që e ka dënuar dhe një vendim të KPA-së që e ka pezulluar, paraqitej në punë, duke i sfiduar këto vendime. Ai u akuzua dhe u shpall fajtor për falsifikim dokumentesh, pasi nuk kishte treguar shkarkimin nga detyra në vitin ‘97, por në kohën që tentoi e arriti të bëhej anëtar i KPA-së, deklaroi se është larguar me dorëheqje.

Në të parin reagim pas shkarkimit përfundimtar, Daci akuzoi ish kolegët se shkelën dy kushtetuta me vendimin e dhënë, ndërsa bëri të ditur se të drejtën do ta kërkojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Sot, KPA shkeli të dy Kushtetutat. Shkeli kushtetutat dhe shkoi në ligjin magjistratë. Kushtetuta jonë është aneks. Ju jeni të interesuar për prishjen e vendimit të Strasburgut e Luan Daci do i fitojë të gjitha të drejtat. Do i drejtohem Strasburgut! Do të bëj gjithçka që të kthejmë në Shqipëri shtetin ligjor. Sot e theksoj, janë shkelur dy kushtetuta. Eshtë shumë e rëndë, që ta shkelë një dhomë gjykimi e një niveli të lartë. E drejta vonon, por nuk harron!