Bota

Lufta në Gaza, Egjipti po përpiqet të sigurojë armëpushim!

Egjipti është duke bërë përpjekje të mëdha për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave. Po ashtu, për t’i lejuar të zhvendosurit në jug të enklavës, që të mund të shkojnë në pjesën veriore. Kështu u shpreh sot presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.

Sisi paralajmëroi në lidhje me rrezikun e pushtimit të mundshëm të qytetit Rafah nga Izraeli dhe ku besohet se janë strehuar 1.5 milion palestinezë, në kufirin e Gazës me Egjiptin. Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute. Al-Sisi u shpreh:

Ne ende jemi duke biseduar për arritjen e një armëpushimi në Gaza, pra ndalimin e luftimeve dhe kjo për të ofruar sasi të mëdha të ndihmave. Gjithashtu, një gjë e tillë do të përfshinte kufizimin e ndikimit të kësaj urie te njerëzit, si dhe lejimin e njerëzve në qendër e në jug që të zhvendosën drejt veriut, me një paralajmërim të fuqishëm kundër pushtimit të Rafahut. Ne e kemi paralajmëruar se çfarë po ndodh dhe kemi vënë në dukje se mosdërgimi i ndihmave çon drejt urisë absolute.

Egjipti, vend i cili druhet nga zhvendosja e palestinezëve të grumbulluar në afërsi të kufirit të tij është duke bërë përpjekje, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ndërmjetësojë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur terrorist nga Amerika dhe Bashkimi Europian, BE.

Ndër të tjera, marrëveshja në fjalë do të përfshinte edhe lirimin e pengjeve izraelite në shkëmbim të të burgosurve palestinezë. Një ditë më parë, Egjipti i bëri thirrje Izraelit që t’i hapë pikëkalimet kufitare tokësore me Gazën, për të lejuar futjen e më shumë ndihmave humanitare.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit hynë me forcë në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 pengje.

Nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, më shumë se 31 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në 5 muaj, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Po ashtu, konstatohet rrënim i madh në enklavë.