Bota

Miliarda dollarë dëme nga katastrofat natyrore në vitin 2021!

“Katastrofat e lidhura me klimën kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në vitin 2021”. Këtë e thekson Agjencia Britanike për Ndihma, “Ndihma e Krishterë”. Në raportin e saj më të ri, agjencia rendit 15 episode me mot ekstrem, duke përfshirë përmbytje, stuhi e thatësira përgjatë vitit që po lemë pas. Këto i konsideron edhe si shkaktare për vdekjet e zhvendosjet në gjithë botën.

Sipas përfundimeve të raportit, 10 prej situatave me mot ekstrem kanë shkaktuar dëme në vlerë 1.5 miliard dollarë në SHBA, ku veçohet uragani Ida. Kostot financiare të shkaktuara nga katastrofat janë zakonisht më të larta në shtetet e pasura, të cilat kanë prona me vlera më të mëdha.

Por, disa prej rasteve me mot ekstrem në vitin 2021 janë regjistruar edhe në vendet e varfra, duke nxitur probleme me urinë e zhvendosje të mijëra personave nga shtëpitë e tyre.

Shembull të tillë përbën Sudani Jugor, ku janë zhvendosur më shumë se 850,000 persona. Katër prej 10 katastrofave natyrore me më shumë dëme janë regjistruar në Azi, pasi vërshimet dhe ciklonet kanë sjellë dëme në vlerë 24 miliard dollarë.

Në raport thuhet:

Rritja e temperaturës globale po rrit intensitetin e shirave dhe është duke krijuar tajfunet në Paqësor e ciklonet në Oqeanin Indian. Shirat e rrëmbyeshëm që janë raportuar në korrik të këtij viti në Europë, duke shkaktuar përmbytje në Gjermani, Holandë e Luksemburg i kushtuan jetën të paktën 240 personave.

Dëmet financiare kanë prekur shumën e 43 miliard dollarëve e sipas shkencëtarëve, arsyet lidhen me ndryshimet klimatike.