Rajoni

Mirosllav Lajçak: Ende të larta tensionet Kosovë-Serbi!

Mirosllav Lajçak i cilëson “ende të larta” tensionet Kosovë-Serbi.  I dërguari i BE-së për dialogun, tha se me emisarin amerikan, Gabriel Escobar “shpresuan për më shumë” rezultate gjatë vizitave në Beograd e Prishtinë. Qëllimi ishte adresimi i situatës së tensionuar në veri të Kosovës dhe eksplorimi i mundësive për zgjidhje politike.

Në rrjetet sociale, Lajçak shkruan se ata shprehën shqetësimet lidhur me situatën e krijuar dhe theksuan urgjencën për shtensionimin e gjendjes. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, gjithashtu kërkuan zgjedhje të parakohshme në veri, me pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës e kthimin e palëve në dialog për normalizimin e raporteve.

Pas një ndalese të shkurtër në takimin vjetor të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm ku bisedovs me një numër njerëzish nga Europa e SHBA-të, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në e vendet anëtare mbi përfundimet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet për të mundësuar e mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike.

Një ditë më parë, Escobar tha se Amerika është e angazhuar të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre europian.

Escobar foli dhe për marrëveshjen që Kosova e Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut në mars të këtij viti. Për zbatimin e saj u shpreh se “i hap rrugë një marrëdhënieje paqësore e konstruktive mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë, kjo do të thonte dhënie fund bllokimit të integrimit europian e ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa për Kosovën do të nënkuptonte fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat.

Dy javët e fundit, raportet Kosovë-Serbi janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore u zhvilluan protesta nga grupe serbësh, të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të rinj të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara serbësh lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.