Aktualitet

MM informon për pasojat kryesore të motit me shira në vend!

Problematika nga rikthimi i reshjeve intensive të shiut, në një pjesë të madhe të territorit të vendit. Për ato më kryesoret, Ministria e Mbrojtjes njofton:

Po punohet nga forcat në aksin rrugor Skuraj – Burrel, ku ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, në fshatin Shkopet e në njësinë administrative Milot, në Kurbin.

Ka prani uji në oborret e disa banesave në Mirditë, për shkak të daljes së përroit të Zmejës nga shtrati.

Situata po monitorohet në Durrës, ku ka prani të ujit në disa rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonën rreth stadiumit, Plazhit, Plepa, te “Ura e Dajlanit”.

Po ashtu po punohet për riparimin e defekteve në sistemin energjetik në disa zona në Kukës, Tropojë, Shkodër.

Të gjitha forcat janë në terren për të shmangur çdo problematikë që shfaqet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH bën të ditur se për shkak të reshjeve të dendura të shiut që përfshinë vendin, pati rënie gurësh e inertesh në rrugë dhe situata u paraqit më problematike në rajonin verior. Njoftimi i ARRSH-së:

Qarkullimi në të gjithë akset po kryhet normalisht. Ka pasur rënie gurësh e inertesh në rrugë që janë pastruar menjëherë pa shkaktuar probleme në qarkullim në: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Tamarë, Dushaj-Lekbibaj, Kukës-Shishtavec, Bajram Curri-Valbonë, Vau Dejës-Pukë-Kukës, Skuraj-Ulëz dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, ndërkohë që  grupet e punës të Bashkisë së Tiranës janë në terren për normalizimin e situatës.

Pranë çdo kryqëzimi në kryeqytet janë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës. Më herët gjatë ditës, përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të bashkëpunojnë me punonjësit e emergjencave në kryeqytet.

Kujdes të shtuar sot me valën e re të rrebeshit! Të gjitha skuadrat janë në terren dhe po bëjnë maksimumin për përballimin e situatës!

Si herën e fundit, do të evitojmë lëvizjet e panevojshme dhe do bashkëpunojmë me punonjësit e emergjencave! Kujdes të moshuarit e fëmijët dhe telefononi 112 për çdo rast kritik! Forca!