Bota

Moti i keq godet Australinë lindore, 9 viktima!

Nëntë persona humbën jetën në Australi pasi stuhitë e forta goditën pjesën lindore të vendit gjatë festës së Krishtlindjes. Autoritetet bëjnë të ditur se qindra mijëra shtëpi ende janë pa energji elektrike.

Moti i keq goditi shtetet e Viktorias, Uellsit të Ri Jugor e Kuinslandit më 25 dhe 26 dhjetor, duke sjellë breshër e shira të rrëmbyeshëm. Si pasojë e erërave të forta u shkulën çati dhe u rrëzuan pemë në disa nga zonat më të prekura. Vlerësohet se janë më shumë se 90 mijë familje të mbetura pa energji elektrike.

Një jaht me 11 persona në bord u përmbys pranë Green Island-it në gjirin Moreton gjatë stuhisë dhe tre vetë gjetën vdekjen. Për gazetarët, lajmin e konfirmoi shefja e Policisë së Kuinsland-it, Katarina Carrol.

Dy gra u gjetën të vdekura pranë qytetit Gympie, rreth 180 kilometra në veri të kryeqytetit të shtetit  Brisbane. Mes viktimave edhe një vajzë 9-vjeçare, që u gjet e pajetë në një kanal, pasi rezultonte e zhdukur në jug të shtetit.

Autoritetet paralajmëruan se lumenjtë dhe përrenjtë me rritje të shpejtë mund të shpërthejnë duke përmbytur kampet, të cilat zakonisht mbushen me njerëz gjatë javëve festive të Krishtlindjes e Vitit të Ri.

Një grua humbi jetën në një kamp në Viktoria pasi e tërhoqën ujërat dhe dy të tjera mbetën të vdekura nga rënia e pemëve.

Stuhia rrëzoi një linjë elektrike betoni, konfirmoi kryeministri i Kuinsland-it, Steven Miles gjatë një konference për media. Miles theksoi se dëmet nga cikloni Jasper, i cili goditi shtetin në fillim të këtij muaji, dhe stuhitë e fundit mund të jenë në “miliarda”.

Byroja e Meteorologjisë e Australisë ka parashikuar të tjera reshje intensive shiu edhe pse më vonë gjatë ditës pritet përmirësim i kushteve meteorologjike. Stuhitë në Australi pasojnë të nxehtin e fortë të pranverës që rezultoi me disa zjarre.

Ndërsa Australia lufton me shirat në pjesën lindore, në disa rajone në perëndim po luftohet me zjarret. Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën në operacionet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e tyre.