Bota

NATO shpreson në zhbllokimin e ndihmës amerikane për Ukrainën!

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s sot takohen në Bruksel për të diskutuar në lidhje me vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, si dhe për rritjen e shpenzimeve po ushtarake të aleancës perëndimore prej 31 anëtarësh, përfshirë Shqipërinë.

Para takimit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë që të mbështesin Ukrainën. Kjo pasi Senati Amerikan miratoi paketën prej 95.34 miliardë dollarësh. Nga paketa në fjalë, 61 miliardë dollarë ndihmë ushtarake janë për Ukrainën, por ende është e paqartë nëse ndihma do të kalojë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve e që kontrollohet nga republikanët amerikanë.

Forcat ukrainase thanë se po kursejnë municionet e pakësuara, teksa po përballen me intensifikim të sulmeve nga Rusia në luftën që vijon prej rreth dy vitesh. Moska po vazhdon që të sulmojë me raketa dhe dronë civilët e infrastrukturën në Ukrainë. Para gazetarëve, Stoltenberg deklaroi:

Ne vetëm sa po shohim ndikimin për faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë arritur që të marrin një vendim, por unë pres që Amerika të mund të jetë në gjendje që të vendosë dhe Kongresi e Dhoma e Përfaqësuesve të mund të bien dakord për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën.

Kujtojmë se dy ditë më parë, projektligji i ndihmës kaloi në Senatin Amerikan, por ligji ende nuk është dërguar në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse miratohet, nuk ka dyshime se do të ndihmonte që menjëherë të rinisnin dërgesat me armë dhe municione për forcat ukrainase, pasi këto dërgesa janë pezulluar që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të miratojë fondet që të mund të rinisin dërgesat e rregullta.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili e ka kritikuar paketën e ndihmës edhe para se të miratohej nga Senati për shkak se ai ka dashur që në të, të përfshihen edhe masat për të parandaluar fluksin e emigrantëve në kufirin mes SHBA-ve e Meksikës, ka lënë të kuptohet se që ligji të shkojë te Dhoma e Përfaqësuesve do të duhen javë apo muaj.