Aktualitet

Në kërkim ndërkombëtar, nga Italia ekstradohet një shqiptar/Në Gjermani u ekstradua një serb!

Interpol Tirana ekstradoi dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga Italia u ekstradua një 39-vjeçar shqiptar i dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për falsifikimin të dokumenteve të pronave në bregdetin e Lezhës. Po ashtu, raportohet se drejt Gjermanisë u ekstradua një shtetas serb, i akuzuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente dhe përvetësonte sende të vjedhura.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të bashkëpunimit me strukturat homologe në shtetet e tjera, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana ka ekstraduar dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Konkretisht, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën është ekstraduar në Shqipëri, shtetasi shqiptar Paulin Simoni, 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.04.2022, e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Shtetasi Paulin Simoni, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime të kundërligjshme duke falsifikuar dokumentet e pronës dhe formularët e pronësisë, me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden është ekstraduar drejt Gjermanisë, shtetasi serb I. B., 50 vjeç.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata Rajone e Ravensburg, me vendimin e datës 17.08.2023, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.