Rajoni

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen amerikane!

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Kështu tha presidentja Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Sipas Osmanit, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës, që institucionet të përmirësonin përgjigjen ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetar të Republikës, pa dallim.

Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Eshtë dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis.

Kosova ka nisur përpjekjet që të anëtarësohet në INTERPOL që nga viti 2010. Por, kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Në vitet 2015 dhe 2016, Kosova nuk arriti të futej në axhendën e Asamblesë së Përgjitshme të INTERPOL-it, ndërsa në vitet pasuese, Prishtina nuk ka tentuar të anëtarësohet për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit për mbështetjen e tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektore e në çdo hap të shtetndërtimit.

Ndërkaq, ndihmës sekretari Robinson deklaroi se Amerika mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore e të sigurisë.

Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-të janë këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit.

Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë e më të sigurt nesër. për qytetarët e Kosovës.

Gjatë vizitës Robinson do të takohet me zyrtarë nga qeveria dhe nga sektori i drejtësisë, por jo me kryeministrin Albin Kurti.

Mes qeverisë Kurti dhe asaj amerikane, raportet janë tendosur për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar që dinari serb të përdoret për pagesa. Amerika po i kërkon Kosovës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore,  që euro të njihet si valuta e vetme për kryerjen e pagesave. Por, kabineti Kurti nuk jep sinjale se do të tërhiqet nga ky vendim.