Aktualitet

Noizy publikon foton e kushëririt që i dogji lokalin/Noizy: U bë ekstremist fetar!

Reagon Noizy pasi policia arrestoi autorin e dyshuar të tre zjarrvënieve ndaj pronave të familjes së tij, dy më të fundit në lokalin te Currilat në Durrës, sot dhe më 11 qershor. Në pranga ra një i afërm i reperit të njohur, i identifikuar si Eraldo Musteqja 26-vjeç, për të cilin Noizy shprehet se e rriti familja e tij dhe se pasi ndërroi fe, u kthye në besimtar ekstremist që mendon se lokalet nuk duhet të shesin alkool e se muzika është haram. Ai shton se për këtë arsye vendosi të bëjë atë që e quan “akt terrorist”. Në mesazhin e dhënë, këngëtari uron që Eraldo të bëhet më mirë e të kuptojë gabimin.

Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime që në fëmijëri. Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist dhe kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist. Gjithsesi, jeta vazhdon. Unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë e të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rrit me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. The beautiful Zinz është shumë mirë dhe përherë do të jetë mirë. Ziliqar dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e menaxhon situatën. Love you lil bro!

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e tre rasteve të zjarrvënieve ndaj biznesit dhe banesës së të njëjtës familje.

I vuri 2 herë (mëngjesin e sotëm dhe më datë 11.06.2023) zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.

I ndaluari, lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Si rezultat i punës intensive hetimore për disa raste zjarrvëniesh, të kryera gjatë periudhës 10.06.2023-29.06.2023, si dhe në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të situatës në nivel qarku, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eraldo Musteqja, 26 vjeç.

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B.Rajku.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.