Aktualitet

Opozita: “Nafta në rreth 200 lekë/litri nga taksat!”

Opozita argumenton se arsyeja e shtrenjtimit të karburanteve në tregun vendas është pasojë e rritjes së taksave. Përmes një grafiku, nënkryetarja demokrate Jorida Tabaku ka sqaruar se “kostoja reale e naftës në tregjet ndërkombëtare është 61 lekë, ndërsa në Shqipëri ky çmim “shndërrohet” përmes taksave në 199 lekë/litër”. Tabaku shkruan:

Veç 61 lekë është kosto reale me të cilën vjen nga tregjet ndërkombëtare e një litri naftë përpara se taksat ta shndërrojnë në 199 lekë/litër.

Postimin e sotëm në rrjetet sociale, Tabaku e shoqëron edhe me një grafik shpjegues.

Në më pak se një vit, kjo është hera e shtatë që çmimet e hidrokarbureve rriten në vendin tonë. Më herët këtë javë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha “këto luhatje vijnë si pasojë e tregjeve ndërkombëtare”, ndërsa theksoi se “qeveria nuk do të ndërhyjë”.

Rritja e çmimit të naftës ka qenë subjekt i rritjeve prej muajsh, jo vetëm në Shqipëri, rajon dhe Europë. Jemi në monitorim të çmimeve të bursave, që të parashikojmë të gjitha ndërhyrjet që mund të bëhen, megjithatë dua të them që ne nuk operojmë në ekonomi tregu të lirë.

Sipas të gjitha parashikimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, pritet që këto çmime të reduktohen pas 6-mujorit të parë të këtij viti, por jemi të kujdesshëm dhe në monitorim të vazhdueshëm.

Politika e taksave nuk mund të ndikohet nga luhatjet momentale të rritjes së çmimeve. Për momentin nuk ka asnjë iniciativë të rishikimit të politikës së taksave.